Diten qe skadon afati per regjistrimin ne zgjedhjet lokale, te gjitha partite e koalicionit opozitar kane firmosur nje marreveshje ku zyrtarizojne bojkotin e procesit te 30 qershorit.
Prej ores 9.00 te mengjesit kreu i PD, Basha ka firmosur me secilin prej aleateve dokumentin ku parashtrohen kerkesat e opozites per krijimin e kushteve per te marre pjese ne zgjedhje.
Marrëveshja është nënshkruar nga kryetarët e disa partive brenda koalicionit opozitar, mes tyre Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Republikane, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, PBDNJ, PAA, PDK dhe PDIU.
Marreveshja prej 10 pikash parashikon si rrugen e vetme per zgjedhje te lira e te ndershme krijimin e nje qeverie tranzitore e mbajtjen e zgjedhjeve te parakohshme parlamentare.
Partite e koalicionit opozitar angazhohen qe të mos lejojnë asnjë farsë elektorale, të organizuar nga qeveria e Edi Ramës.
Më poshtë 10 pikat e marrëveshjes së nënshkruar nga koalicioni opozitar;
- Krijimin e një Koalicioni të Bashkuar Opozitar dhe Qytetar për zgjedhjet e ardhshme në vend.
- Partitë nënshkruese të këtij Koalicioni do të regjistrohen në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
- Rruga e vetme për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme është formimi i një Qeverie Tranzitore me mandat të posaçëm për:
- Kthimin e legjitimitetit politik të qeverisjes në vend nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
- Përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme parlamentare dhe vendore në Shqipëri.
- Realizimin e reformës zgjedhore dhe ndjekjen e zbatimit të saj, me fokus të veçantë shkëputjen e lidhjes mes politikës dhe krimit, luftën ndaj fenomenit masiv të blerjes së votave, intimidimit kriminal mbi zgjedhësit, si dhe eleminimin e pabarazisë mes partive politike pjesëmarrëse në zgjedhje.
- Krijimin e klimës së besimit për zbatimin e reformës në drejtësi jashtë çdo ndërhyrjeje politike.
- Krijimin e kushteve të nevojshme për të përshpejtuar nisjen e negociatave të Shqipërisë për antarësimin në Bashkimin Europian dhe ndërmarrjen e çdo reforme të nevojshme për këtë qëllim.
- Në mbrojtje të demokracisë dhe të zgjedhjeve të lira e të ndershme, partitë nënshkruese të këtij Koalicioni angazhohen të mos lejojnë asnjë farsë elektorale, të organizuar nga qeveria ilegjitime e Edi Ramës.
- Pamundësimi i mbajtjes së zgjedhjeve fasadë, të diktuara nga pakti i Edi Ramës me krimin e organizuar dhe paratë e tyre të pista, të realizohet përmes përshkallëzimit të aksionit opozitar në të gjithë vendin.
- Rikonfimojmë vullnetin tonë se Integrimi Europian i Shqipërisë është rruga e vetme për t’i dhënë fund tranzicionit të tejzgjatur. Shprehim vendosmërinë tonë të plotë për të ndërmarrë çdo hap, që bën realitet rrugëtimin e pandalshëm dhe të shpejtë të Shqipërisë në familjen europiane.
- Angazhohemi për të unifikuar dhe miratuar një Platformë të Përbashkët për çlirimin e ekonomisë nga oligarkia dhe krimi me mbështetje qeveritare. Ky trinom është përgjegjës për rritjen e papunësisë, largimin e investimeve të huaja, falimentimin e fermerëve dhe sipërmarrjes private. Kjo Platformë e Përbashkët ka për qëllim nxjerrjen e vendit nga kriza e rëndë ekonomike për të krijuar punësim, zhvillim, mirëqenie dhe mundësi të barabarta për të gjithë.
- Angazhohemi për luftë pa kompromis ndaj krimit të organizuar, korrupsionit dhe pastrimit të parave të pista, si pengesa kryesore për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit, sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve.
- Mbështesim çdo qytetar, të drejtat dhe liritë themelore të të cilit dhunohen nga veprimet arbitrare të institucioneve shtetërore.
- Angazhohemi për një marrëdhënie politike dhe elektorale me çdo individ apo parti politike, bazuar në parimin e proporcionalitetit dhe integritetit të nënshkruesve.