E mërkurë, 21 Tetor 2026 Trashëgimtari Halef deri në 13:15 Në vijim ora 13:15: Trazira në Parajsë Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

“Zoti ia ka dhënë Shqipërisë të gjitha, robi s’e ka lënë të ngrejë kokë”, Rama: Hija e shtetit do t’i ndjekë ata që dhunuan policët

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ndjekje ligjore dhe detyrimin për shlyerjen e dëmeve për të gjithë personat që kanë ushtruar dhunë ndaj policisë dhe kanë dëmtuar pronën publike dhe private gjatë protestave të ditëve të fundit në Tiranë.

Gjatë një takimi me drejtuesit e sistemit bankar në Shqipëri, Rama deklaroi se shteti do të vijojë të ndjekë personat përgjegjës deri në shlyerjen e dëmeve të shkaktuara.

Reklamë

“Të gjithë ata që kanë ngritur dorën kundër shtetit, kanë ngritur dorën kundër policisë, që kanë dëmtuar pronën publike dhe private, do ta kenë hijen e shtetit nga pas deri kur të shlyejnë dëmin që kanë bërë”, u shpreh kryeministri.

Rama foli gjithashtu për një paketë masash, për të cilën tha se është hartuar në bashkëpunim me palët përkatëse, duke përmendur edhe përvojat e Francës dhe Italisë.

Reklamë

Kreu i qeverisë tha  se dhuna gjatë protestave nuk lidhet vetëm me lëvizjen Antifa apo me pagesa të dyshuara nga subjekte të caktuara dhe krimi i organizuar, por edhe me ndërhyrje të huaja.

“Këtu nuk është vetëm çështje e flamës së Antifas, nuk është vetëm çështja e pagesave nën dorë të subjekteve të caktuara dhe të krimit të organizuar, por ka dhe ndërhyrje malinje të lidhura me pozicionin e Shqipërisë dhe të lidhura, për fat të keq, edhe me një përpjekje djallëzore për të yshtur urrejtje fetare”, deklaroi Rama.

Ai u ndal edhe te bashkëjetesa fetare në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një prej vlerave më të rëndësishme të vendit. Rama dënoi nxitjen e urrejtjes fetare dhe antisemitizmit, duke theksuar se Shqipëria duhet të ruajë marrëdhëniet miqësore me vendet që nuk kanë qëllime për ta penguar zhvillimin e saj.

“Thesari më i madh që kemi është bashkëjetesa harmonike e të gjitha feve, është tradita shqiptare e Zotit dhe e mikut”, tha kryeministri.

Më tej, Rama u shpreh kundër çdo përpjekjeje për të nxitur antisemitizmin, duke theksuar se Shqipëria ka nevojë për miq ndërkombëtarë, investime dhe rritje ekonomike.

“Shpreh neverinë time për të gjithë ata të cilët i fryjnë zjarrit të urrejtjes së antisemitizmit, për të gjithë ata që ngatërrojnë gjëra që nuk duhen ngatërruar”, deklaroi ai.

Në përfundim, kryeministri theksoi se vendi duhet të fokusohet te zhvillimi ekonomik dhe rritja e mirëqenies, duke tërhequr investitorë dhe duke krijuar mundësi që më shumë njerëz të jetojnë e të investojnë në Shqipëri.

“Jemi një vend që Zoti na i ka dhënë të gjitha, por robi nuk e ka lënë të ngrejë kokë. Sa herë ngjitet pak më lart, bëhet objekt i sulmeve nga brenda dhe nga jashtë”, përfundoi Rama.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.