Subscribe

Vetëm 12 kilometër larg qytetit të Shkodrës gjendet Zogaj, një perlë e vogël e turizmit në brigjet e liqenit të Shkodrës dhe rrëzë malit të Taraboshit. Një vend ideal për tu eksploruar por edhe për të bërë pushime, pasi natyra duket se nuk është kursyer për asgjë.

 

Të shumtë janë shkodranët që me biçikleta apo mjetet private ndër vite i janë drejtuar kësaj pike turistike, por vitet e fundit ajo është kthyer në të preferuarën edhe të turistëve të huaj.

 

*“Një vend i bukur, këtu ka plot liri dhe mund të bësh çfarë të duash. Liqeni shumë i bukur, mund të qëndrosh brigjeve në hijen e pemëve, të freskohesh në ujë, të udhëtosh me varkë, shtëpitë, restorantet afër. Ju a kam prezantuar shokëve të mi në Itali dhe atyre në Angli ku po jetojmë tani, ndërsa me disa të tjerë kam ardhur, pasi çdo vit vijmë me familjen. Do t’ju a sugjeroja të gjithëve të vizitojnë Zogaj”.

 

“Jam nga Gjermania. Vij për herë të parë për pushime në Shqipëri. Zgjodhëm Shkodrën dhe pikën turistike të Zogaj-ve sepse na tërhoqi pa fund e gjithë kjo sipërfaqe ujore, liqeni dhe mali afër me këtë klimë është fantastike. Shkodra është një qytet historik shumë interesant, i cili të jep mundësi të shumta për të vizituar. Vitin e kaluar ishim në Kroaci, dëgjuam për Shqipërinë dhe erdhëm, pasi edhe mundësia për ta përshkuar rrugën me makinë na tërhoqi. Jeni një pikë strategjike afër me Greqinë dhe vendet e tjera”.

 

Banorët e kësaj zone janë munduar ta zhvillojnë turizmin, edhe pse me vështirësi dhe gjithmonë përballë sfidash të shumta. Sot edhe pse Zogajn me Shirokën i ndajnë vetëm 4 kilometra, diferenca në investime ndjehet.

 

Mal, liqen, ajër i pastër, shtëpi karakteristikë me shkallët e gurta dhe gatime tradicionale, janë mozaiku që gjen çdo turist i cili e preferon fshatin turistik të Zogaj-ve, të paktën për një ditë apo fundjavë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *