Zjarri i përmasave të mëdha që përfshiu mbrëmjen e së martës malin e Shashicës është vënë tashmë nën kontroll. Flakët u shfaqën fillimisht rreth orës 20:30 në majën e malit dhe, të favorizuara nga erërat e forta, u përhapën me shpejtësi duke djegur sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi të egër në territorin kufitar mes bashkive Vlorë dhe Selenicë.
Zjarri krijoi rrezik edhe për fshatrat Shërrisht dhe Drashovicë. Gjatë situatës, katër persona që ndodheshin pranë një guroreje në majën e malit mbetën të bllokuar nga flakët, por u evakuuan në kohë nga forcat zjarrfikëse dhe fatmirësisht nuk pati persona të lënduar.
Flakët vijuan gjatë gjithë natës, ndërsa terreni i vështirë malor dhe era e fortë e vështirësuan ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të zjarrfikësve. Forcat në terren qëndruan në gatishmëri dhe monitoruan situatën për të parandaluar përhapjen e zjarrit drejt zonave të banuara dhe objekteve me rëndësi.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe rrezikut që flakët t’i afroheshin landfillit të Shërrishtes. Ekipet zjarrfikëse vijuan monitorimin dhe ishin të gatshme për ndërhyrje në rast të përkeqësimit të situatës.
Ndërkohë, gjatë orëve të fundit janë raportuar edhe vatra të tjera zjarri në Sevaster, Nartë dhe zona të tjera të bashkive Vlorë dhe Selenicë. Shërbimet zjarrfikëse vijojnë të jenë në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje.
/vizionplus.tv





