Vala ekstreme e të nxehtit po thyen rekorde temperaturash në mbarë Evropën dhe po shkakton zjarre të mëdha.
Alarme janë lëshuar në pjesë të Spanjës, Greqisë dhe Malit të Zi duke paralajmëruar për rreziqe të konsiderueshme për shëndetin, ndërsa temperaturat kalojnë mbi 40 gradë Celsius. Në Spanjë, një punonjës i një qendre hipizmi vdiq pasi pësoi djegie të rënda në pranë Madridit. Erërat mbi 70 km/orë shkaktuan flakë pranë shtëpive.
Në rajonin veriperëndimor të Spanjës, Castile dhe Leon, u evakuuan pothuajse 4,000 persona dhe u raportuan më shumë se 30 zjarre, me një që kërcënonte Las Médulas, të listuar në UNESCO, i njohur për minierat e tij të lashta të arit.
Ndërsa 2000 persona të tjerë u evakuuan nga hotelet dhe shtëpitë pranë qendrës turistike të Tarifës në rajonin jugor të Andaluzisë.
Ndërkohë edhe Greqia po lufton me më shumë se 150 zjarre në të gjithë vendin, të përkeqësuara nga erërat e forta, me gati 5,000 zjarrfikës dhe dhjetëra avionë që po merren me shuarjen e flakëve. Evakuime masive janë duke u zhvilluar në ishullin turistik Zakynthos dhe në Akainë perëndimore, ku flakët kanë shkatërruar shtëpi, automjete dhe biznese.
Situatë problematike nga zjarret paraqitet edhe në Mal të Zi. Dy helikopterë të Ushtrisë së vendit fqinj po luftojnë vatrat që rrezikojnë njerëzit dhe shtëpitë në Podgoricë.
Zjarre janë raportuar edhe në katër qytete të tjera të vendit, kryesisht në pjesën qendrore dhe veriore. Ndërkohë, është ndërprerë qarkullimi në kanionin e Platijes, një nga rrugët që lidh kryeqytetin me veriun e Malit të Zi.
Presidenti Milatoviq bëri të ditur se Kryesia e Bosnjë e Hercegovinës ka miratuar dërgimin e një helikopteri për ndihmë në Mal të Zi. Po ashtu, pritet edhe një helikopter nga Hungaria dhe një ekip prej 50 deri në 60 persona nga Austria
Autoritetet e Podgoricës u kanë bërë thirrje pushuesve që të largohen nga lumenjtë Moraça, Zeta dhe Cijevna, në mënyrë që helikopterët të mund të marrin ujë për shuarjen e flakëve.





