Katër vatra zjarri vijojnë të mbeten aktive në vend, por situata më kritike është në fshatin Drenovë të Mallakstrës. Terreni malor dhe era e fortë e kanë vështirësuar gjendjen, ndërkohë që pranë vatrës ndodhet gjithashtu një pus gazi, që përbën rrezik të shtuar.
Mëngjesin e sotëm, 36 forca operacionale vendore dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura, u angazhuan për shuarjen e zjarrit. Në ndihmë të tyre shkoi edhe një helikopter “Cougar”.
Në terren ishte Drejtori i Emergjencave Civile Haki Çako, i cili tha se vatrat e zjarrit janë nën kontroll duke operuar si nga ajri ashtu edhe nga toka.
Sipërfaqja e djegur në total në zonë llogaritet rreth 120 ha shkurre dhe pyll me pisha, ndërsa janë dëmtuar dhe djegur mbi 1000 rrënjë ullinj.
Edhe në “Liqenin e Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar të Lurës, vijon puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe livadh.
E njëjta situatë edhe në një zonë malore të Bulqizës, ku deri më tani është shkrumbuar një sipërfaqe rreth 30 hektarë me shkurre dhe barishte.
Vatra e katërt është ajo në “Qafën e Lacit”, në bashkinë Vau i Dejës, ku është djegur një sipërfaqe me 25 ha me lis, dushk e shkurre.





