Reperi shqiptar Rigels Rajku, i njohur për publikun me emrin artistik Noizy, është ndaluar në Zvicër ditën e shtunë, me urdhër të Prokurorisë Publike për Krime të Rënda dhe të Dhunshme. Lajmi është bërë i ditur nga media zvicerane Watson.ch, e cila thekson se ndaj artistit është kërkuar masa e paraburgimit, ndonëse nuk jepen detaje të plota mbi akuzat konkrete.
Sipas burimeve zvicerane, Noizy është subjekt i disa hetimeve penale, ndërsa autoritetet po zhvillojnë një sërë procedurash ligjore në lidhje me rastin. Deri në këtë fazë, nuk është marrë ende një vendim përfundimtar, ndaj ndaj reperit vijon të vlejë prezumimi i pafajësisë.
Rigels Rajku ndodhej në Zvicër për një koncert të planifikuar në në Rümlang, por u ndalua nga autoritetet para se të performonte. Me afro 4 milionë ndjekës në Spotify dhe mbi 2 milionë në Instagram, Noizy është një nga artistët shqiptarë më të njohur në rajon. Ai është shfaqur edhe në skenë krah figurave politike, përfshirë kryeministrin Edi Rama gjatë fushatave elektorale.
Autoritetet zvicerane pritet të japin më shumë informacion në ditët në vijim, ndërsa fansat e reperit mbeten në pritje për të kuptuar se çfarë qëndron pas këtij ndalimi.
/vizionplus.tv





