Vala e protestave është shtuar duke përfshirë edhe studentët. Dhjetëra të rinj të Universitetit Bujqësor kanë marshuar në shenjë revolte drejt qendrës së kryeqytetit për të kundërshtuar rritjet e çmimeve.

 

Sipas studentëve çmimet janë të papërballueshme.

 

Gjatë marshimit të tyre nuk kanë munguar debatet verbale me policinë e shtetit, e cila në segmente të caktuara nuk i ka lejuar të kalojë në rrugë, për të shmangur në këtë mënyrë bllokimin dhe krijimin e trafikut.

 

Edhe sindikata e taksistëve ka protestuar përpara Kryeministrisë, duke kërkuar uljen e çmimit të karburantit, heqjen e taksës së akcizës dhe TVSH-së për këtë kategori, si dhe rishikimin e nenit që i ndalon ata të marrin pasagjerë në kthim.

 

Taksistët e kanë zhvendosur protestën e tyre në bashkinë e Tiranë dhe më pas përpara ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ku kanë parashtruar sërish kërkesat e tyre në mënyrë paqësore.

 

Përfaqësues të shoqërisë civile janë mbledhur gjithashtu paraditen e kësaj të premteje përpara Drejtorisë së Policisë Tiranë, për të kërkuar lirimin e 23 të arrestuarve gjatë protestave të zhvilluara në dy ditët e fundit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *