Pas reagimeve që pasuan vendimin e Greqisë për zgjerimin e ujërave territoriale në Detin Jon nga 6 në 12 milje, kryeministri Edi Rama dha një sqarim.

 

Nëpërmjet një reagimi në “Twitter”, Rama mohoi që zgjerimi i Greqisë të cenojë ujërat territorialë të Shqipërisë. Kryeministri nënvizoi se kjo e drejtë do të vendoset nga Gjykata Ndërkombëtare.

 

Ai i cilësoi marrëzi akuzat që hidhen nga eksponentë të opozitës. Sipas kreut të qeverisë, ata po e përdorin këtë kauzë për përfitime politike.

 

“Llumi nacional-folklorik i politikës shqiptare pa kufij, pa din e iman, është derdhur sërish në oqeanin digjital përmes shpifjes së madhe të “shitjes së detit” Greqisë! Këtë marrëzi ekstreme për përfitime politike mund ta besojnë vetëm ata që s’duan të dëgjojnë e as të kuptojnë! Pas rrëzimit të marrëveshjes famëkeqe të 2009 dhe mosmarrëveshjes që pasoi, ne kemi arritur më në fund dakordësinë me palën greke që delimitimin e kufirit tonë detar ta çojmë në Gjykatën Ndërkombëtare! Shtrirja 12 milje e Greqisë në Jon s’ka lidhje me zonën joniane mes nesh! E drejta e 12 miljeve ushtrohet aty ku është e mundur dhe jo aty ku s’ka mundësi, siç është rasti në zonën mes nesh ku vija ndarëse do të vendoset me gjyq! Greqia e ka ushtruar këtë të drejtë së fundmi, fiks siç e ka ushtruar Shqipëria qysh në vitin 1990! Të tjerat janë dokrra!”, shpjegoi Edi Rama.

 

Shefi i qeverisë tha i prerë se në ditët e sotme nuk mund të bëhen marrëveshje të fshehta.

 

“Jetojmë në shekullin XXI dhe në mes të Europës,ku nuk mund të “shiten” e “blihen” dot dete e territore as fshehurazi, as haptazi nga asnjë autoritet i veçantë! Këto mund të ndodhin vetëm në batakun e ligësisë e të injorancës,ku llumi i shqiptarisë gjen shesh për përsheshin e tij!”

 

Një ditë më parë, drejtuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, Boiken Abazi deklaroi se Edi Rama i bëri një dhuratë Greqisë. Kurse këtë të shtunë, nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, e akuzoi kryeministrin se po u shet detin fqinjëve dhe kërkoi hetimin e tij.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *