Subscribe

Këtë të hënë mazhoranca dhe opozita do të ulen së bashku për të zgjidhur dy prej çështjeve më të rëndësishme të reformës elektorale: administratën zgjedhore nga qendra e votimit deri në KQZ dhe çështjen e sistemit elektoral.

 

Që prej 14 janarit kur u nënshkrua marrëveshja mes socialistëve e demokratëve, pozicioni i mazhorancës ka qenë i qartë; ajo mbështet propozimet e ekspertëve të komisionit, të cilat janë grupuar në një draft prej 82 faqesh.

 

Risitë kryesore të këtij dokumenti të mbështetur janë depolitizimi i plotë i administratës zgjedhore, vota e emigrantëve, projekti pilot për votimin e numerimin elektronik.

 

Përballë këtij qëndrimi, përgjatë dy muajve të fundit ka qenë opozita, e cila ka sjellë propozimet e saj për rolin e policisë e të prokurorisë në zgjedhje, për kolegjin zgjedhor , financimin e partive politike, aplikimin e teknologjisë në zgjedhje.

 

Ende pritet mendimi i PD dhe aleatëve të saj për KQZ dhe administratën zgjedhore në tërësi, votimin e emigrantëve dhe masat që opozita mendon se duhen marrë kundër presionit që ushtrohet  mbi zgjedhesit.

 

Deri më tani palët kanë arritur konsensus për rolin e Policisë e Prokurorisë, hetimin nga SPAK të veprave penale të korrupsionit zgjedhor, mbrojtjen e raportuesve të shkeljeve zgjedhore, financimin e fushatave  dhe identifikimin elektronik të zgjedhësve në te gjithe vendin.

 

Ndërsa për sistemin zgjedhor edhe pse asnjë prej forcave politike nuk del hapur kundër ndryshimit të tij, vetëm opozita parlamentare ka shkruar 4 propozime se si mund të votojnë shqiptarët në zgjedhjet e ardhshme.

 

Kjo javë është përcaktuese për fatin e reformës elektorale,  nëse pas më shumë se një vit konflikti politik do të kemi apo jo një marreveshje për rregullat e zgjedhjeve mes opozitës dhe mazhorancës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *