Kreu i PAA-së dhe aleati i PD-së, Agron Duka e cilëson të pavend momentin që kryedemokrati Lulzim Basha zgjodhi për të bërë propozimet për sistemin zgjedhor.

 

Duka tha në “Vizion Plus” se Basha nuk zgjodhi kohën e duhur duke pasur parasysh që brenda datës 15 mars pritet të mbyllet reforma zgjedhore.

 

“Basha e ka thënë edhe herë të tjera që është për një sistem mazhoritar, por momenti për të cilin ai e shtoi këtë artikulimi më duket i pavend sepse ne presim pas një jave të përfundojë reforma zgjedhore. Nuk besoj që ka kohë të bëhet një gjë e tillë. Nuk besoj që kjo mund të zgjidhet brenda këtij kufiri kohor dhe brenda këtij Parlamenti.”

 

Sipas tij, këto propozime nuk rrezikojnë marrëveshjen dhe klimën e dakordësisë mes palëve. I pyetur nëse do ta mbështeste Bashën për ta dërguar propozimin në një tryezë zyrtare, Duka shfaqet skeptik, pasi sipas tij, nuk mund të realizohet brenda këtij mandati.

 

“Jo nuk rrezikon asgjë. Ka qenë një dëshirë e Bashës, por jo e grupit opozitar. Unë nuk jam pyetur ndonjëherë. Unë kam kërkuar që të ketë sistem me element maxhoritar. Kur i lexova ne media propozimet, mu dukën interesante, por nuk mund të arrihet brenda këtij mandati.”

 

Sa i përket manifestimit të 2 marsit organizuar nga Ilir Meta dhe paralajmërimit të këtij të fundit për shpërndarje Parlamenti, opozitari u shpreh se është e dobishme që kryeministri Edi Rama të reflektojë pozitivisht.

 

“Nuk pati vetëm njerëz të opozitës, por edhe qytetarë të thjeshtë, pati të majtë, nga Tirana. Ne dolën në shesh jo për Ilir Metën dhe ideologjinë  e tij, por deri kur do të shkojë kjo punë. Nuk gjykoj që dekreti që u paralajmërua nga Meta për shpërndarjen e Parlamentit mund të zgjidhë gjë. Optika është e ndryshme. Disa thonë ka të drejtë, disa jo. Unë mendoj që do ishte me shumë vend që Rama të reflektojë pozitivisht, mos të marri pushtet që se meriton, por të jetë i ekuilibruar.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *