Kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës, Erion Veliaj, njëherësh edhe kandidat për Bashkinë e Tiranës, u shpreh sot se Partia Socialiste synon që në zgjedhjet e 14 majit të fitojë 40 mandate këshilltarësh.

 

Në deklaratën për mediat nga selia e PS-së, Veliaj nënvizoi se të gjitha sondazhet në Tiranë tregojnë për një ekip fitues të PS.

 

Duke parë sondazhet, që janë bërë nga kompani të ndryshme, qoftë televizione apo media të tjera, qoftë sondazhet tona të brendshme, me një marzh prej 56-58 për qind të votave, duke pasur parasysh se ka shumë parti që tentojnë të futen në Këshill Bashkiak, por nuk e kapin pragun dhe kësisoj e ulin për të tjeret, ne parashikojmë ose së paku kemi qëllim për të synuar 40 mandate, çka do na jepte mundësinë për të përdorur mandatet për të bashkëpunuar me qeverinë dhe për të bërë punë dhe jo për të kërkuar mandate për të rrëzuar qeverinë dhe për të sabotuar”, tha Veliaj.

 

Kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të shikojnë se cilët janë ata që punojnë dhe u janë gjendur në ditët më të vështira si pandemia dhe tërmeti dhe cilët janë ata që bëjnë populizëm në fushatë.

 

Ftesa për të gjithë qytetarët është, shikoni ata që punojnë, shikoni ata që janë seriozë dhe nuk bëjnë gallata apo populizëm dhe fushatën. Shikoni një skuadër që nuk e braktis as Këshillin Bashkiak, as Bashkinë, me urdhra partie, shikoni ata që ishin në ditët e vështira siç ishin pandemia dhe tërmeti dhe nëse do të shikoni për këto personazhe, do t’i gjeni në listën e anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Partisë Socialiste të Shqipërisë”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *