Ndërsa procesi i votimit në Komunën e Tuzit po shkon drejt fundit, në Malin e Zi, është denoncuar rasti i parë i tentativës për blerje votash. Padia është bërë në prokurori dhe aty akuzohen njerëz pranë Partisë Demokratike Socialiste të presidentit malazez, Milo Gjukanoviç.

 

Një qytetar ka marrë në intervistë me një person i cili i ka rrëfyer edhe pasaportën si dhe eurot që kishte marrë.

 

Ai shpjegon se e shiti votën për kandidatin numër 1 në listë, të partisë Demokratike socialiste kundrejt 200 eurove.

 

Ndërkohë që prokuroria ka nisur hetimet, ende nuk ka reagime nga palët për tentativën e blerjes së votave.

 

Më herët gjatë ditës kandidati për kryetar komune i koalicionit shqiptar, Nik Gjeloshaj, tha se kjo është një ditë historike për shqiptarët që jetojnë në Mal të Zi, ndaj i bëri apel që të dalin të votojnë.

 

“Procesi ka filluar në mëngjes, ku janë evidentuar edhe disa probleme teknike, ndërsa çdo dy orë bëhet ristartimi i kompjuterit që bën identifikimin e votuesve. Qëllimi ynë është që kjo të jetë një ditë feste për Malësinë, ndaj bëjmë apel që të kemi pjesëmarrje masive në këtë vendim historik. Të gjitha pengesat nuk mund të ndalin procesin, që është triumfi i Malësisë”

 

Për të marrë pjesë në këtë votim historik, janë angazhuar edhe shqiptarë të Malit të Zi që jetojnë jashtë kufijve

 

“Kemi ardhur për të suportuar këtë çështje të fitojmë, është fitore e madhe sot, dhe që Malësia të jetë çdo herë e më mirë…Ashtu jemi të informuar që sot do të fitojmë dhe duhet të jemi optimist që sot të fitojmë. Ky është vendi jonë i Malësisë dhe Malësia do të fitojë…. Prej këtyre personave presim që të udhëheqin Tuzin për çështje shqiptare, për çështje të Malësisë”

 

11 mijë qytetarë zgjedhin sot 32 anëtarët e këshillit komunal, të njohur si anëtarët e Parlamentit të Tuzit. Pas numërimit të votave, këshilltarët e zgjedhur, do të votojnë më pas me shumicë të thjeshtë drejtuesin e komunës.

 

Zgjedhjet e kësaj të diele konsiderohen si historike në Malësi pasi për herë të parë, 3 partitë politike shqiptare Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Demokratik Shqiptar, dalin të bashkuar në koalicionin “Malësia na Bashkon”.

 

Kjo gjë mundësoi kandidimin me një listë të vetme, e cila rrit shansin që drejtimin e komunës ta marrin shqiptarët.

 

Kandidati i përbashkët i mbështetur nga ky koalicion është Nik Gjeloshaj. Ai garon përballë partisë Demokratike Socialiste të presidentit malazez, Milo Gjukanoviç.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *