Zgjedhjet në PS/ Rama nga Elbasani: Mundësi ripërtëritje, promovim barazisë gjinore në të gjitha nivelet

Kryeministri, njëherësh kryetar i PS-së, Edi Rama mori sot pjesë në Asamblenë e Zgjeruar socialiste në Bashkinë Elbasan në kuadër të përzgjedhjes së drejtuesve të rinj vendor në 61 bashkitë e vendit.
Tre kandidatët e përzgjedhur për fazën finale për kryetar të PS-së në Elbasan janë Ardit Demiri, Ermira Urupi, Agron Lulaj të cilët prezantuan edhe platformat tyre për këtë garë.
Në fjalën e tij, Rama e konsideroi të rëndësishme që të gjithë kandidatët që presin në bazë të kalendarit të këtyre zgjedhjeve që të kenë prezantimet dhe ballafaqimet e tyre, që të përgatiten sa më mirë dhe sa më seriozisht sepse kjo është një garë e hapur.
“Të gjithë bashkësitë e PS në çdo degë të saj të bëjnë sa më shumë propozime në mënyrë që edhe zgjedhja të jetë sa më e gjerë. Jam shumë i inkurajuar nga çfarë kam mundur të shoh deri tani në distancë ndërkohë sot jam këtu për ta ndjekur nga afër këtë proces së bashku me deputetët e Elbasanit dhe dhe më vjen shumë mirë që na jepet të gjithëve mundësia që të jemi të përfshirë në një proces si ky që synon t’i japë shtysë të re drejtimit të PS-së në të gjithë territorin”, nënvizoi Rama.
Kreu i PS-së theksoi se “ky proces synon të ripërtërijë edhe një herë siç kemi bërë në të shkuarën, por me një mekanizëm të ri, strukturën e PS-së në tërësi i cili synon t’i hapë rrugë më pas procesit të përzgjedhjes së kryetarit të partisë në të gjitha njësitë bashkiake”.
Ai shtoi se “në këtë proces ne kemi vajza dhe djem, gra dhe burra dhe kemi rënë dakord në kryesinë e PS-së që kudo ku ne kemi kandidatë cilësor edhe që meritojnë mbështetjen për të kontribuar në drejtim të partisë që janë edhe burrë edhe grua, por edhe djalë edhe vajzë, ne do të kemi bashkëdrejtim të partisë siç kemi bërë në nivelin e organizatave”.
“Më vjen keq që bashkëdrejtimi i partisë në nivelin e organizatave ende është i paplotësuar në një pjesë jo të vogël të organizatave si një bashkëdrejtim me barazi gjinore. Aty ku kjo ka ndodhur, kemi parë që rezultatet kanë qenë domethënëse. Nëse paraqitja e Ermirës do jetë e duhura për anëtarët e partisë dhe anëtarët e komisionit, ajo do të jetë kryetare e partisë. Por nëse ndonjë nga kandidatët do të performojë në mënyrë bindëse, atëherë edhe në Elbasan në bazë të propozimit të Komisionit, po të jetë ky rasti, atëherë ne do të kemi bashkëdrejtim të partisë”, sqaroi kreu i PS-së, Rama.
Në përfundim të fjalës së tij, Rama theksoi se “ne promovojmë në të gjitha nivelet barazinë gjinore. Ia kemi parë hajrin pasi sa më shumë gra dhe vajza janë përfshirë, aq më mirë kanë shkuar punët e partisë dhe për këtë arsye është e rëndësishme që mos ta harrojmë asnjëherë dhe mos ta quajmë gjithmonë figurën e kryetarit të partisë detyrimisht figurë “babe””.




