Grupi për PD-në kërkon që zgjedhjet për kryetar në Partinë Demokratike të shtyhen. Teksa Këshilli Kombëtar vendosi për 13 qershorin, kritikët e Lulzim Bashës e shohin këtë si një datë të nxituar.

 

“Ne, pjesëtarët e grupit “Për PD”, në Partinë Demokratike, në vijim të Deklaratës sonë dt. 17 maj 2021, mbetetmi të bindur dhe ripohojmë se: “Nxitimi për hapjen e zgjedhjeve nuk ka për qëllim analizën dhe reformimin e partisë, por eleminimin e debatit në rradhët e partisë dhe të një gare të hapur. Vendimi i Këshillit Kombëtar për hapjen e parakohshme të zgjedhjeve është i pajustifikuar.”. Për këtë arsye gjykojmë se është në dobi të Partisë Demokratike të mirëkuptohet dhe të trajtohet me përgjegjësinë e duhur politike dhe institucionale kërkesa jonë, e cila është: Shtyrja e datës për zgjedhjen e Kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, caktuar për në datën 13 qershor 2021.”

 

Sipas kundërshtarëve të Bashës, 13 qershori nuk garanton një garë të ndershme, të besueshme dhe të dobishme për PD-në.

 

“Një vendim i tillë paragjykon, ende pa filluar gara zgjedhore, rezultatin e saj! Aq më tepër dhe sidomos sepse një afrim i tillë i datës, duke ju shmangur datës 22 korrik 2021, të parashikuar nga Statuti i Partisë Demokratike të Shqipërisë si data më e afërt për zhvillimin e zgjedhjeve, nuk bazohet në asnjë përcaktim statutor dhe/ose nevojë të qenësishme, të kushtëzuar nga gjendja dhe zhvillimet politike. Përkundrazi, gjykojmë se mundësimi i shtyrjes së datës së zgjedhje dhe zhvillimit të fushatës zgjedhore për kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë në një kohë politikisht më të përshtatshme, duke pasur parasysh zhvillimet, është në dobi jo vetëm të Partisë, por edhe të vendit dhe të kombit tone”, thuhet në kërkesën e Grupit për PD-në.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *