Në Bosnjë, në zgjedhjet e së dielës votohet për nivele të ndryshme të qeverisjes. Nisur dhe nga lufta në Ukrainë votuesit thonë se janë të lodhur nga politikat nacionaliste dhe se duan përfaqësues që do të përmirësojnë ekonominë e vendit dhe do të ruajnë paqen.

 

Por analistët thonë se këto zgjedhje nuk pritet të sjellin ndonjë ndryshim të madh për vendin e ndarë etnikisht.

 

Hija e luftës në Ukrainë duket se do të ketë ndikim edhe në zgjedhjet në Bosnjë, ndërsa vendi i ndarë etnikisht dhe me probleme të shumta ekonomike po përgatitet për zgjedhjet e përgjithshme të dielën.

 

Sipas analistëve, këto zgjedhje nuk pritet të sjellin ndonjë ndryshim të madh.

 

Boshnjakët e të gjitha përkatësive etnike thonë se duan përfaqësues që do të përmirësojnë ekonominë e vendit dhe do të ruajnë paqen.

 

“Situata në Bosnjë duhet të përmirësohet, por pasojat globale të luftës së Rusisë në Ukrainë, janë të pashmangshme. Gjërat do të jenë shumë të vështira pavarësisht se kush do të vijë në pushtet”, thotë Predrag Pepinoviq, banor në Banja Luka.

 

“Arsyeja duhet të mbizotërojë, sepse jemi të ngopur me grindje të vazhdueshme dhe marrëzi, nga lufta që po ndodh. Ne duhet të përqendrohemi në çështje reale që kanë rëndësi për njerëzit, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike dhe politike. Kjo është ajo që unë pres”, thotë një tjetër banor.

 

“Duhet të përqendrohemi në të ardhmen, në Bashkimin Evropian, fondet evropiane, mënyrën evropiane të të menduarit, sundimin e ligjit dhe drejtësinë e barabartë për të gjithë. Të votojmë kundër korrupsionit dhe nepotizmit dhe të jemi në favor të të drejtave qytetare dhe të njeriut dhe bashkëjetesën e të gjithë njerëzve në Bosnjë”, thotë Zeljko Dabic, banor në Banja Luka.

 

“Fytyrat në posterat zgjedhore nuk kanë ndryshuar për 30 vitet e fundit dhe opozita nuk është një alternativë e mirëfilltë. Partitë me platforma të ndryshme politike janë bashkuar vetëm për të rrëzuar pushtetin aktual, por nuk ofrojnë asgjë të re për qytetarët, asgjë më të mirë”, thotë Seka, banore në Sarajevë.

 

Në zgjedhjet e së dielës votohet për nivele të ndryshme të qeverisjes, ndërsa vendi ka një prej strukturave institucionale më të ndërlikuara në botë, pas një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga SHBA, e cila i dha fund më shumë se tre vjet e gjysmë gjakderdhjeje në vitet 1990 midis tre grupeve etnike të Bosnjës: boshnjakëve myslimanë, serbëve ortodoksë dhe kroatëve katolikë.

 

Marrëveshja e paqes e ndau vendin në dy entitete qeverisëse shumë të pavarura, njëra e drejtuar nga serbët dhe tjetra e përbashkët nga boshnjakët dhe kroatët.

 

Të dyja kanë autonomi të gjerë, por janë të lidhura me institucione të përbashkëta kombëtare dhe të gjitha veprimet në mbarë vendin kërkojnë konsensus nga të tre grupet etnike.

 

Të dielën, votuesit do të zgjedhin tre anëtarët e presidencës së përbashkët boshnjake, deputetët e parlamentit në nivel shtetëror, entiteti rajonal dhe presidentin e pjesës së drejtuar nga serbët.

 

Ndërsa kandidatët dhe partitë konkurrojnë me premtimin për të rritur luftën kundër korrupsionit, analistët thonë se politikanët nacionalistë do të mbeten dominues pas votimit.

 

Udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës Milorad Dodik, i cili kandidon për president të pjesës së drejtuar nga serbët e Bosnjës e ka përdorur fushatën zgjedhore për të mbrojtur agresionin e Rusisë në Ukrainë.

 

Që nga fundi i luftës në Bosnjë, Moska është akuzuar shpesh nga Perëndimi se kërkon të destabilizojë vendin dhe pjesën tjetër të Ballkanit përmes aleatëve të saj serbë në rajon.

 

Perëndimi ka frikë se Kremlini mund të përpiqet të rindezë konfliktin në Ballkan për larguar vëmendjen nga lufta që ka nisur në Ukrainë./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *