Zgjaten hetimet për Ballukun, ndaj ish-numrit dy të qeverisë rëndojnë disa akuza

Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është paraqitur këtë të martë në Prokurorinë e Posaçme, ku i është komunikuar zgjatja e afateve të hetimit deri në janar të vitit 2027.
Ish-numri dy i qeverisë ka qënduar rreth 30 minuta në SPAK e shoqëruar nga avokati i saj Ardian Kalia.
Hetimet ndaj ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë lidhen me dyshimet për shkelje të barazisë në tendera, përfshirë procedurën për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe disa lote të Unazës së Madhe të Tiranës.
Balluku po hetohet edhe për procedura të tjera prokurimi, ndërsa në dosje përfshihen edhe dyshime për korrupsion dhe pastrim parash.
Ndërkohë SPAK në një njoftim zyrtar bën me dije se i ka komunikuar zyrtarisht akuzat Ballukut.
• “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim (nëntë herë), parashikuar nga neni 258/2 e 25 i Kodit Penal.
• “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.
• “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
• “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, (dy herë), parashikuar nga neni 257/a, paragrafi i 2-të i Kodit Penal.
• “Pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar neni 287, gërma “b” i Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal (për dy pasuri të paluajtshme).
Prokuroria e Posaçme po vijon veprime konkrete procedurale për t’i komunikuar akuzat edhe personave të përfshirë në të njëjtën çështje penale. Detaje të tjera do të bëhen të ditura në një moment të mëvonshëm.




