BERLIN – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të mbërrijë në Berlin të mërkurën për bisedime me kancelarin gjerman Friedrich Merz, tha qeveria gjermane, pjesë e një përpjekjeje diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Merz do ta presë Zelenskyn me nderime ushtarake në kancelarinë federale në mesditë, tha një zëdhënës i qeverisë në një deklaratë.
“Fokusi i vizitës do të jetë në mbështetjen gjermane për Ukrainën, si dhe në përpjekjet për të arritur një armëpushim”, shtoi ai.
Zyrtarët ukrainas dhe rusë u takuan këtë muaj për negociatat e tyre të para ballë për ballë që nga pushtimi në shkallë të plotë në vitin 2022, nën presionin e Presidentit të SHBA-së Donald Trump për t’i dhënë fund luftës.
Megjithatë, bisedimet dështuan të prodhonin një marrëveshje armëpushimi dhe Rusia ndërmori tre netë sulme masive ajrore ndaj Ukrainës gjatë fundjavës.
Me Trumpin që sinjalizoi lëkundje të mbështetjes për Ukrainën në muajt e fundit, Gjermania mund të luajë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm si mbështetësi më i madh ushtarak dhe financiar i vendit pas Shteteve të Bashkuara.
Merz, një konservator që mori detyrën këtë muaj, është zotuar të marrë një rol më udhëheqës në sigurimin e mbështetjes për Ukrainën sesa paraardhësi i tij socialdemokrat, Olaf Scholz.
Ai vizitoi Ukrainën me udhëheqës të tjerë evropianë pak ditë pasi u bë kancelar dhe të hënën mbështeti të drejtën e Ukrainës për të nisur sulme me raketa me rreze të gjatë veprimi në territorin rus , në kontrast me retorikën e kujdesshme të Scholz mbi këtë çështje.
“Putini dhe Rusia qartësisht nuk kanë për momentin asnjë interes për një armëpushim apo një marrëveshje paqeje”, tha ai.
“Si pasojë, kjo do të thotë që Ukraina duhet të vazhdojë të mbrohet dhe se ne duhet të intensifikojmë përpjekjet tona për t’ia mundësuar Ukrainës këtë.”
Lufta, tha Merz, nuk kishte të bënte vetëm me integritetin territorial të Ukrainës.
“Rendi politik që vendosëm bashkërisht me Rusinë pas vitit 1990 po vihet në pikëpyetje”, tha ai.
Megjithatë, nuk pritet që Gjermania të njoftojë dërgesa të reja armësh në Ukrainë, duke qenë se qeveria e re ka thënë se nuk do të detajojë më publikisht se çfarë armësh po i dërgon Ukrainës, duke preferuar një qëndrim “paqartësie strategjike”.
Rusia akuzoi Ukrainën të martën për rritje të ndjeshme të sulmeve me dronë dhe raketa në territorin rus gjatë javës së kaluar duke përdorur municione të furnizuara nga Perëndimi.





