Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të premten, 4 mars, se sulmi rus në centralin bërthamor, Zaporizhzhia, do të mund të rezultonte me shkatërrim të barabartë sa “gjashtë shpërthime sikurse të Çernobilit”.

 

Ai ka nisur adresimin televiziv duke thënë: Popull i Ukrainës! Ne jemi mbijetuar natën që do të mund të ndalte rrjedhën e historisë – historisë së Ukrainës, historisë së Evropës”. Ai ka thënë se Rusia e ka ditur se çfarë ka qenë duke bërë kur ka sulmuar drejt në central dhe e ka quajtur këtë veprim si “terror të nivelit të padëgjuar”.

 

“Si është e mundur? A nuk jemi përballur me pasojat e katastrofës së Çernobilit më 1986?”, ka thënë ai duke iu adresuar popullit rus.

 

Ai u ka bërë thirrje njerëzve “të dalin nëpër rrugë dhe t’i tregojnë Qeverisë se duan të jetojnë”, shkruan REL.

 

Zelensky ka thënë se është duke kontaktuar me liderë botërorë, dhe ka thënë se është i “shokuar” nga zhvillimet rreth centralit. Rusia ka marrë kontrollin e centralit, pas sulmit. Autoritetet ukrainase kanë thënë se objekti është i sigurt dhe nivelet e rrezatimit janë normale.

 

Centrali bërthamor në Zaporizhzhya prodhon më shumë se një të pestën e energjisë brenda Ukrainës. Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Çështje Bërthamore ka thënë më 4 mars se ka vendosur qendrat për incidente dhe emergjenca në gatishmëri të lartë pas situatës në Zaporizhzhia.

 

OKB ka thënë se sulmi ka prekur një qendër trajnimi dhe jo ndonjë pjesë të reaktorit. Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

 

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën. Putin, ka thënë të enjten, 3 mars, se “operacioni special ushtarak” në Ukrainë është duke shkuar sipas planit dhe i ka konsideruar ushtarët rusë si heronj.

 

Komentet televizive të Putinit kanë qenë në kundërshtim me deklaratat e qeverive të Perëndimit dhe agjencive të inteligjencës se fushata ushtarake e Putinit po përballet me probleme logjistike, gabime taktike dhe rezistencë më të madhe sesa është pritur nga Ukraina.​

 

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *