Zelensky ndihet i tradhtuar nga Trump: Ukraina do të rifillojë sulmet ndaj rafinerive ruse

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Ukraina do të rifillojë sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës. Në një intervistë për Financial Times, të publikuar këtë të enjte, ai bëri të ditur se kufizimet ndaj këtyre sulmeve kanë përfunduar. “Bllokada e sulmeve ndaj rafinerive ka mbaruar. Kaq ishte”, u shpreh Zelensky.
Kreu i shtetit ukrainas kritikoi gjithashtu gatishmërinë e administratës amerikane për të arritur marrëveshje biznesi me Moskën, si dhe qëndrimin e presidentit Donald Trump ndaj homologut rus, Vladimir Putin. Zelensky tha se ndihet i tradhtuar nga deklaratat e fundit të presidentit amerikan, por theksoi se Ukraina vazhdon të shpresojë te bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara.
Ndërkohë, sulmet ruse kanë vijuar në territorin ukrainas. Sipas guvernatorit rajonal Oleksandr Hanzha, dy persona humbën jetën nga sulmet ajrore ruse në rajonin e Dnipropetrovskut, në juglindje të Ukrainës. Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi gjithashtu se kishte goditur portin e Izmailit, në rajonin e Odesës, si dhe dy anije mallrash që lundronin drejt Odesës, duke pretenduar se ato përdoreshin për qëllime ushtarake.
Gjatë vizitës së tij në Londër, Zelensky përsëriti se dëshiron të ruajë bashkëpunimin me Uashingtonin. “Ne llogarisim te bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara. Duam thjesht të jemi partnerë shumë të sinqertë, të qartë dhe të fortë”, deklaroi ai gjatë takimit me kryeministrin britanik. Megjithatë, në një intervistë me gazetarin Piers Morgan, presidenti ukrainas u shpreh se ndihet i tradhtuar nga Trump, duke theksuar se çështja nuk lidhet vetëm me ndjenjat e tij personale, por me mbijetesën e vendit.
Një tjetër shqetësim për Kievin lidhet me funksionimin e rrjetit satelitor Starlink, i përdorur për komunikimet në front dhe për operacionet kundër dronëve. Zelensky i kërkoi Elon Musk, pronarit të kompanisë, të rikthejë shërbimin e plotë, pasi disa terminale thuhet se pësuan kufizime gjatë natës, pa njoftim paraprak. “Njerëzit do të vdesin nëse sulmet vazhdojnë dhe Starlink nuk funksionon”, paralajmëroi ai, duke shpresuar se bëhej fjalë për një problem teknik.
Përplasjet diplomatike janë shtuar pas vendimit të Trump për të lehtësuar kufizimet ndaj naftës dizel ruse, sipas raportimit të Financial Times. Presidenti amerikan ka kritikuar ashpër Zelenskyn, duke sugjeruar që ukrainasit të gjejnë një udhëheqës të ri, i cili mund të arrijë një marrëveshje paqeje me Moskën. Ndërkohë, liderët europianë kanë shmangur kritikat e drejtpërdrejta ndaj Trump, ndërsa kanë mbështetur thirrjet për armëpushim dhe ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike të të dyja palëve.
/vizionplus.tv




