E enjte, 22 Tetor 2026 Trashëgimtari Halef deri në 19:00 Në vijim ora 19:00: Lajme Ora 19:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Zelensky apel Trumpit: Heqja e sanksioneve do ta bëjë Putinin më të fortë!

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se lehtësimi i sanksioneve ndaj Rusisë do të forconte Vladimir Putinin dhe do të rrezikonte përpjekjet për t’i dhënë fund luftës. Në një intervistë për CNN nga Kievi, Zelensky theksoi se mosmarrëveshjet me presidentin amerikan Donald Trump nuk janë personale, por lidhen me mënyrën se si duhet të arrihet paqja në Ukrainë.

“Qëndrimi im ndaj Putinit është shumë i qartë. Mendoj se nëse heqim sanksionet, do ta bëjmë atë më të fortë. Nuk është diçka personale mes meje dhe presidentit Trump dhe, natyrisht, unë jam kundër çdo lehtësimi të sanksioneve”, deklaroi Zelensky.

Reklamë

Marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Kievit janë tensionuar javët e fundit, pasi Zelensky kritikoi Trumpin për qëndrimin ndaj Rusisë dhe vendimin për lehtësimin e disa sanksioneve. Shqetësimet janë shtuar edhe për kufizimet në shërbimin satelitor Starlink dhe vonesat në furnizimin me armë.

Ndërkohë, i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff zhvilloi një takim treorësh me Vladimir Putinin në Shën Petersburg, pas takimit me Zelenskyn në Norvegji. Moska pranoi zhvillimin e bisedimeve në nëntor, por pa dhënë hollësi konkrete. Megjithatë, presidenti ukrainas shprehu dyshime për synimet e liderit rus dhe gatishmërinë e tij për t’i dhënë fund luftës.

Reklamë

“Putini po luan, e dini, ai është një lojtar. Është për të ardhur keq, sepse ai luan me jetët e njerëzve të tjerë dhe, natyrisht, nuk dëshiron ta ndalë luftën”, u shpreh Zelensky, duke u bërë thirrje aleatëve që të mos i japin Moskës mundësinë të forcojë pozitat e saj.

Nga ana tjetër, Donald Trump deklaroi se administrata e tij është më pranë se kurrë arritjes së një marrëveshjeje për paqen. Por, ndërsa vijojnë përpjekjet diplomatike, Rusia ndërmori një valë të re sulmesh me dronë dhe raketa ndaj Ukrainës. Zelensky la të kuptohet se Kievi mund të shqyrtojë ngrirjen e vijave aktuale të frontit për të arritur një armëpushim dhe për të nisur negociatat. Megjithatë, ai përjashtoi mundësinë e njohjes së territoreve të pushtuara si pjesë të Rusisë apo të dorëzimit të territoreve që kontrollon Ukraina.

“Vendi ynë është shumë i rëndësishëm, sepse bëhet fjalë për njerëzit. Nuk bëhet fjalë për kilometra. Shumë njerëz kanë vdekur duke mbrojtur këtë tokë, pavarësinë dhe vendin tonë”, theksoi presidenti ukrainas.

Ai shtoi se territoret e pushtuara përkohësisht nuk do të njihen si ruse. Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se një nga çështjet kryesore të negociatave mbetet e ardhmja e Donbasit, rajonit lindor të Ukrainës që kontrollohet kryesisht nga forcat ruse. Një tjetër problem për Kievin është mungesa e raketave interceptuese për t’u mbrojtur nga sulmet ruse. Zelensky konfirmoi se shkëmbimi i informacionit të inteligjencës me SHBA-në është rikthyer, por shërbimi ushtarak satelitor Starshield ende nuk është plotësisht funksional. Presidenti ukrainas theksoi se ndihma e aleatëve evropianë për mbrojtjen ajrore nuk është e mjaftueshme. “Nuk mjafton për t’u mbrojtur”, deklaroi ai.

Në përfundim, Zelensky përcolli dy kërkesat kryesore të Ukrainës për partnerët ndërkombëtarë: të mos lehtësojnë sanksionet ndaj Rusisë dhe të furnizojnë Kievin me raketa më të avancuara.

“Të mos i heqin sanksionet Putinit dhe të na japin raketa më të mira”, përfundoi presidenti ukrainas.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.