Zbulohen dy call centera në Tiranë që mashtronin qytetarët! Arrestohen 4 përgjegjësit

Janë zbuluar 2 call centera të tjerë në kryeqytet, ku mashtroheshin kryesisht gjatë natës, shtetas në kontinente të ndryshme, që të investonin në tregje fiktive.
Policia e Shtetit, gjatë operacionit “De facto”, u arrestuan shtetasit Bekim Byberi, Jani Janko, Klaudio Demiri dhe Andi Lleshaj.
Nga hetimet rezultoi se këta shtetas, nëpërmjet 2 subjekteve ekonomike call center, në kryeqytet, të cilat ishin regjistruar në mënyrë fiktive, si aktivitete të tjera tregtare, të ligjshme, mashtronin shtetas në kontinente të ndryshme, kryesisht gjatë orëve të natës, që të investonin shuma të konsiderueshme parash, në tregje fiktive. Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se të ardhurat që gjeneroheshin nga kjo veprimtari kriminale, pastroheshin nëpërmjet bizneseve të të afërmve të shtetasve të implikuar në këto raste.
Nga kontrollet, në të dyja call centerat u gjetën 10 punonjës të paregjistruar, si dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 9000 euro, 82 njësi kompjuterike, 23 celularë, 1 DVR, 2 USB, 50 karta me numra celularësh, të kompanive të huaja, dhe dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.




