Gërmimet arkeologjike të zhvilluara gjatë muajit maj kanë sjellë zbulime të reja të rëndësishme për historinë e qytetit antik të Amantias.
Arkeologët kanë evidentuar fortifikimin e pjesës së poshtme të qytetit, përfshirë edhe zonën e agorasë antike, e cila më herët mendohej se kishte qenë e pa fortifikuar.
Punimet, të realizuara në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, kanë nxjerre ne dritë vazhdimësinë e murit mbrojtës, si dhe mbetjet e ndërtesave që ndodheshin brenda tij.
“Gjurmët e shkatërrimit të këtyre strukturave datojnë në shekullin e pestë pas Krishtit dhe lidhen me periudha konfliktesh”, tha arkeologu Kriledjan Çipa.
Një tjetër zbulim me interes është identifikimi i mundshëm i një kulle, pjesë e sistemit fortifikues të qytetit. Gërmimet e ardhshme pritet të konfirmojnë funksionin dhe përmasat e saj.
“Në pjesën lindore të sitit janë zbuluar edhe mbetjet e një ndërtese monumentale, e cila mendohet të ketë pasur funksione ekonomike ose të lidhura me transportin dhe tregtinë”, tha arkeologu.
Arkeologët planifikojnë zgjerimin e kërkimeve në zonën e akropolit dhe pranë stadiumit antik, ku dyshohet për praninë e strukturave të tjera publike. Sipas tyre, rezultatet e deritanishme po hedhin dritë mbi organizimin urban dhe sistemin mbrojtës të qytetit antik, ndërkohë që Amantia është një atraksion turistik për turistët.





