Anëtarët e Partisë Demokratike në Këshillin e Mandateve bënë publik raportin e opozitës për kërkesën e SPAK-ut në lidhje me imunitetin e ish-numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku.
Në dokumentin prej 48 faqesh, Partia Demokratike ka renditur argumentet pse, sipas saj, Parlamenti duhet t’i japë Prokurorisë së Posaçme autorizim për arrestimin e deputetes socialiste Belinda Balluku.
Në këtë dokument publikohen për herë të parë detaje nga qëndrimi i prokurorëve të SPAK-ut në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, e cila u zhvillua e mbyllur për shkak të sekretit hetimor.
“Prokurori Dritan Prençi – Jemi në fillimet e hetimeve të procedurave të tjera dhe akoma ka shumë veprime hetimore për t’u kryer për shumë procedura prokurimi, apo edhe prova shkresore për t’u administruar, që nuk janë administruar. Kemi pasur mangësi nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, sepse nuk na i ka sjellë në kohë, na janë vonuar dhe akoma nuk i kemi administruar të gjitha dokumentacionet përkatëse të këtyre procedurave të prokurimit.
Prokurori Klodjan Braho – Cili është mekanizmi? Mekanizmi është duke takuar vartësit, personat që mund t’i ketë emëruar, personat që sipas hetimeve dyshojmë se mund t’i ketë kontrolluar, dhe dyshojmë që kjo veprimtari mund të ndodhë edhe në të ardhmen, siç edhe kemi një bisedë konkrete që krijon dyshime serioze që ka ndodhur. Duke qenë se është kjo mundësi, se mund të mos jesh edhe në funksion, por ke diku një person tjetër që ka pushtet mbi dëshmitarin, që është drejtori i dëshmitarit, për shembull”, thuhet në raportin e PD.
Nga raporti i PD mësohet se hetimi për zonjën Balluku përfshin aq dokumente sa, nëse do të printoheshin, do të mbusheshin dy apo tre furgonë me letra.
“Prokurori Dritan Prençi – Te relacioni dhe provat mbështetëse të relacionit ne kemi paraqitur procesverbalin e transkriptimit të përgjimit të bisedave, të lejuara me vendim të gjykatës, të datës 20.11.2025, në orën 12:23:35. Ne e kemi paraqitur si provë. Në përmbajtje të këtij transkriptimi rezultojnë të dhëna për intimidimin e personave… Ka përmbajtje që zonja është e frikësuar, përmend edhe emrat se nga kush është frikësuar, emra zyrtarësh, por edhe persona të fortë në rang grupesh të tjera. Ajo përmend tundimin nëpërmjet korrupsionit që të ndryshojë thëniet apo edhe të zëvendësojë mbrojtësin e saj me një mbrojtës të pëlqyer nga personat që i vetëofrohen. Kjo është shumë e qartë në përmbajtje”, thuhet në raportin e PD.
Prokurori Dritan Prençi – Atëherë, në përmbajtje të asaj çfarë ka prodhuar ky transkriptim i bisedave të përgjuara, bëhet fjalë për intimidim nga persona jozyrtarë. Aty përmenden “të fortë”, e përmend vetë zonja, pra persona jozyrtarë. Pastaj, nga personat zyrtarë bëhet fjalë për persona nga kabineti i ministrit, është e shkruar.”
Ky është raporti i 5 anëtarëve të opozitës për kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e Belinda Ballukut, ndërkohë që 5 anëtarët e PS-së ende nuk e kanë bërë publik raportin e tyre./vizionplus.tv





