Mazhoranca dhe opozita kanë arritur dakordësinë sa i përket përbërjes së Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore. Ai do të drejtohet nga dy bashkëkryetarë dhe me numër të barabartë anëtarësh.
Në mënyrë që diskutimet për ndryshimet në ligjin elektoral të jenë gjithëpërfshirës, e rekomanduar kjo dhe nga OSBE-ODIHR, vend në komision do të ketë edhe për partitë e vogla.
Projektvendimi sqaron se vendimet e Komisionit të Reformës Zgjedhore do të miratohen me shumicën e votave të anëtarëve dhe konsensusin e bashkëkryetarëve.
Pjesë e tryezës së diskutimeve do të jenë plot 16 anëtarë, nga të cilët 7 do t’i përkasin Partisë Socialiste dhe 7 Grupit parlamentar të Partisë Demokratike. 2 anëtarë do të jenë nga partitë të cilat në zgjedhjet e 11 majit kanë fituar të paktën dy mandate, përkatësisht Partia Socialdemokrate dhe Partia Mundësia.
Megjithatë, ndonëse pa të drejtë vote, Lëvizja Bashkë dhe Shqipëria Bëhet do të mund të marrin pjesë në komision dhe do të mund të japin propozimet e tyre.
Ndryshe do të jetë përbërja në Komisionin e Posaçëm të Reformës Territoriale, përbërja e së cilit do të jëtë me 16 anëtarë por me ndarje ndryshe.
Partia Socialiste do të përbëhet nga 8 deputetë dhe 6 përfaqësues do të ketë Partia Demokratike.
Ndryshe nga zgjedhorja 1 përfaqësues do të jetë i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim dhe 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë.
Dhe drejtimi do të jetë ndryshe, ku Kryetari i Komisionit është përfaqësues i shumicës parlamentare dhe zëvendëskryetari është përfaqësues i pakicës parlamentare.
Projektvendimet pritet të miratohen javën e ardhshme, ndërsa diskutimet pritet të zgjasin 9 muaj.





