Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese thirri sot mbledhjen e gjyqtarëve për të vendosur për fatin e mandatit të saj.
Në njoftimin për mediat, Holta Zaçja sqaroi se trupa gjyqësore nuk mori një vendim dhe mbledhja u shty.
“Në emër të interesit publik, në mbrojtje të institucionit që drejtoj dhe për të shmangur mosmarrëveshjet kushtetuese, vendosa t’i drejtohem mbledhjes së gjyqtarëve në ushtrim të përgjegjësive të mia si anëtare e Gjykatës Kushtetuese për deklarimin e mbarimit të mandatit. Trupa e Kushtetueses u mblodh pa arritur në një vendimmarrje, duke e shtyrë seancën,” sqaroi Zaçja.
Sipas kryetares së Gjykatës Kushtetuese, nuk ka parashikim ligjor që mandati i saj përfundon më 10 mars 2024. Zacja akuzoi Gjykatën e Lartë se ka marrë kompetencat e institucioneve të tjera.
“Shpallja e vendit vakant nga Gjykata e Lartë, pa një vendim të Kushtetueses, e ka zhveshur këtë të fundit nga kompetenca kushtetuese, veprim ky i paprecedent dhe i marrë me një urgjencë të pajustifikuar,” sqaroi Holta Zaçja në një njoftim për mediat.
Një ditë më parë, Gjykata e Lartë shpalli garën për pasardhësin e Holta Zaçajt në Gjykatën Kushtetuese, pasi sipas saj mandati i Zaçajt përfundon më 10 mars 2024. /vizionplus.tv





