Subscribe

Rëndohet pozita e nëndrejtorit të burgjeve Iljaz Labi, i arrestuar pasditen e 12 qershorit pas zbulimit të mashtrimit me tenderat e ushqimit për të burgosurit. Një prej administratorëve të shoqërive që kanë qenë pjesë e bashkëpunimit në rrjetin që dyshohet se është krijuar nga zyrtari i Burgjeve labi, ka pranuar të rrëfejë mënyrën se si funksiononte grupi. Burime të besueshme pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda thanë për Vizion Plus, se administrator i shoqërisë “Vllaznia” Ylber Kalaja, ka marrë përsipër të tregoje te gjithë skemën e mashtrimit. Që nga dita e mërkurë, kur ndaj tij u dha masa e sigurisë arrest shtëpie, Kalaja ka statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Mësohet se falë këtij të pandehuri, Prokuroria e ka pasur më të lehtë të lexojë akuzat kundër nëndrejtorit të burgjeve Iljaz Labi. Sipas Kalasë, Labi ka qenë në krye të skemës. I penduari i drejtësisë ka treguar se para çdo tenderi të organizuar, Labi merrte 2 milion lekë të reja. Po kështu është faktuar përmes këtij dëshmitari se katër administratorët e kompanive kishin rënë dakord që të përgatisnin dokumentacionin e përbashkët dhe të gjitha detajet kontrolloheshin nga zyrtari i burgjeve. Ndaj Iljaz Labit rëndon akuza për korrupsion pasiv. Deri në këto momente janë faktuar gjashtë raste të prokurimeve fiktive, ku sipas bashkëpunëtorit të drejtësisë qëndron dora e nëndrejtorit të burgjeve Iljaz Labi. Elida Laskaj, Shemsi Sinani, Ylber Kalaja dhe Nexhmi Balla janë katër administratorët e shoqërive private të përfshira në vjedhjen përmes tenderave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *