Eksperti i Ekonomisë, Selami Xhepa, teksa komentonte ne E-ZONË planet ekonomike të partive politike, u shpreh se problemet thelbësore të ekonomisë shqiptare lidhen me qeverisjen ekonomike, mungesën e konkurrencës në treg.

“Probleme thelbësore fondamentale të ekonomisë shqiptare janë probleme të natyrës së ekonomisë politike, që kanë të bëjnë me qeverisjen ekonomike. Kanë të bëjnë me mungesën e konkurrencës në treg dhe për pasojë mungesën e vetë tregjeve. Në fakt, tregjet janë jashtëzakonisht shumë të monopolizuara. Reformat që kanë të bëjën me çlirimin e ekonomisë nga monopolet, me përmirësimin e rregullave të transparencës së prokurimeve publike, sigurisht që janë një burim i rëndësishëm i çlirimit të të ardhurave shtesë.”

Për Xhepën, të gjitha reformat që janë ndërmarrë, duke filluar nga viti 2010, kanë dëmtuar financat publike dhe kanë krijuar dobësi të madhe në sistemin tatimor.

“Disa biznese i përjashtojmë, disa i taksojmë; disa i taksojmë më shumë, disa më pak. Mendoj që kjo nuk është e drejtë. Shkel principet fondamentale të tatimit që duhet të jetë një tatim i ndershëm dhe i drejtë për të gjithë anëtarët e shoqërisë. Programet elektorale nuk janë të thëna që detyrimisht të realizohen 100 për qind; janë edhe lista dëshirash, apel elektoral. Fondamentale është që të ndërtojmë një ekonomi që funksionon, një sistem ku gara respektohet, ku paratë e taksapaguesve vihen në dritën e qytetarëve.”

Sipas tij, është e nevojshme që të ndërtohet një ekonomi funksionale, një sistem ku gara respektohet dhe eficenca e parasë publike rritet.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *