Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, është takuar me homologun e tij austriak Herbert Kickl, ku kanë konfirmuar frymën e thellë të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Austrisë, në fushën e sigurisë dhe luftës ndaj fenomeneve kriminale.

 

Zyrtarët e lartë ranë dakord se koordinimi mes agjencive ligj zbatuese të të dy vendeve ka dhënë rezultate shumë të kënaqshme.

 

Nga ana tjetër ministri austriak e cilësoi Shqipërinë si një partner të besueshëm dhe shprehu gatishmërinë për një plan pune të përbashkët mes dy vendeve në fushën e sigurisë. Sipas tyre, ky ndërveprim duhet zgjeruar në kontekstin më të gjerë bashkërendues mes vendeve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor. Ndaj mbetet e rëndësishme, siç theksoi Ministri Kickl, që marrëveshjet e arritura mes vendeve të vihen në zbatim.

 

Në fjalën e tij Ministri Xhafaj përmendi angazhimin shqiptar për ngritjen e një Qendre Rajonale të Koordinimit Policor mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, projekt i cili ka marrë mbështetjen zyrtare të Komisionit Evropian përmes Komisionerit Avramopulos.

 

Më tej, diskutimi u ndal në hapat e ndërmarra nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit një vit pas shpalljes së prioriteteve kyç të Qeverisë shqiptare në fushën e rendit dhe sigurisë.

 

Ministri austriak përgëzoi kolegun shqiptar për punën që Policia shqiptare po bën në lidhje me problematikën e flukseve migratore që vijnë nga Lindja e Mesme.

 

Ndërkohë Xhafaj vlerësoi marrëveshjen që Shqipëria ka arritur me FRONTEX-in. “Megjithatë, ne synojmë shumë drejt përmirësimit të kapaciteteve tona vetjake, e ndihmën do ta çmonim shumë nëse do të shkonte në dobi të rritjes së tyre. Nuk janë njerëzit që na mungojnë, as dëshira e mirë, por logjistika dhe teknologjia”.

 

Në këtë pikë, homologu i tij austriak u shpreh për domosdoshmërinë e një projekti të përbashkët mes Shqipërisë dhe Austrisë, duke nxitur që ai të përgatitet sa më shpejt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *