Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj gjatë qëndrimit në Londër, është takuar me disa nga ministrat e kabinetit britanik, të cilët i ka njohur me prioritetet e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit.

 

Ministri u ka bërë të ditur dhe progresin e bërë në luftën kundër krimit të organizuar dhe sekuestrimin e aseteve kriminale, rezultatet në luftën me zero tolerancë ndaj kultivimit të kanabisit dhe projektin e Policimit në Komunitet, projekt ky i cili ka edhe mbështetjen me ekspertizë të Qeverisë britanike.

 

Xhafaj u takua me Ministrin për Sigurinë dhe Krimin Ekonomik të Mbretërisë së Bashkuar, Ben Wallance, Ministrin e Shtetit për Policinë dhe Drejtësinë Kriminale Nick Hurd dhe Sekretarin e Shtetit britanik për Çështjet e Brendshme, Sajid Javid.

 

Duke u ndalur te operacioni “Forca e Ligjit”, Ministri Xhafaj informoi bashkëbiseduesit lidhur me bashkëpunimin shumë të mirë që është ndërtuar aktualisht ndërmjet policive të dy vendeve, e konkretizuar kjo në një shkëmbim intensiv informacioni, si dhe në hetime të përbashkëta.

 

Ndër të tjera gjatë bisedës me homologët e tij britanik, Xhafaj u kërkoi thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe aseteve kriminale.

 

Nga ana tjetër Wallance përgëzoi Ministrin Xhafaj për rezultatet mbresëlënëse dhe u shpreh i gatshëm për të zgjeruar e konkretizuar më tej bashkëpunimin me Policinë shqiptare. Ndërsa Sekretarin Javid vlerësoi si tepër të frytshëm bashkëpunimin me Policinë shqiptare dhe u shpreh i gatshëm për ta thelluar më tej atë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *