Ministri Xhafaj priti Ambasadorin e posaçëm dhe Koordinatorin Kundër Terrorizmit në Departamentin Amerikan të Shtetit, Nathan A. Sales.

 

Xhafaj falënderoi Sales dhe Qeverinë amerikane për asistencën dhe ekspertizën e dhënë Policisë së Shtetit dhe agjencive ligj zbatuese në fushën e zbatimit të ligjit në Shqipëri. Në fokus të punës së MB-së dhe Policisë së Shtetit janë, përveç të tjerash, edhe çështje të luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, për të cilat është ndërtuar dhe funksionon një marrëdhënie shumë e mirë me partnerët amerikanë. Ministri i Brendshëm e njohu zyrtarin e lartë amerikan me strategjinë e palës shqiptare për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm, përmes një marrëdhënie të re të ndërtuar mes Policisë dhe Komunitetit.

 

Koordinatori Sales tha se terrorizmi si një sfidë globale kërkon përkushtim dhe përgjigje të bashkërenduar e globale. Ai deklaroi se mes dy vendeve ka një marrëdhënie bashkëpunimi të ngushtë në vite, në fushën e zbatimit të ligjit dhe ndjekjeve penale, si dhe mbajtjen nën kontroll të elementëve të dyshuar si të përfshirë në luftëra në vende të treta, apo akte terrori. Shqipëria pavarësisht se ka patur një numër të ulët të luftëtarëve të huaj të përfshirë në konflikte jashtë vendit të vet, mbetet sipas përfaqësuesit të DASH, një partner tepër i rëndësishëm në rajon në këtë kuadër.

 

Në fokus të bisedës ishte menaxhimi dhe siguria e kufirit. Ministri prezantoi arritjet dhe nevojat, sa i takon rritjes së kapaciteteve teknologjike që kanë të bëjnë me mirë administrimin dhe përpunimin e informacionit, veçanërisht të atyre të përfshirë në veprimtari të paligjshme, nevojën për më shumë asistencë dhe trajnim të dedikuar në këtë fushë, prezantimin e sistemeve të reja dhe çështje të ndërveprimit mes tyre, e gjitha kjo në funksion të parandalimit, identifikimit të individëve me prirje ekstremiste dhe terroriste. Xhafaj shtoi se kontributi i SHBA-ve ka qenë vendimtar në sukseset e arritura.

 

Koordinatori Sales nënvizoi se bashkëpunimi me Shqipërinë në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm do të shërbejë si një gur themeli për vijimin e kësaj marrëdhënie të ngushtë edhe në të ardhmen.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *