Një oficer i lartë rus, shef i Trupave të Mbrojtjes Bërthamore, Biologjike dhe Kimike të Rusisë është vrarë këtë të martë në Moskë.
Gjenerali Igor Kirillov u ekzekutua së bashku me ndihmësin e tij nga një bombë e vendosur në një skuter elektrik jashtë hyrjes së një ndërtese në kryeqytetin rus vetëm pak kilometra larg Kremlinit.
Pamjet nga vendi i ngjarjes treguan trupat e dy viktimave të shtrirë jashtë ndërtesës.
Autoritetet ruse deklaruan se kanë nisur hetimin lidhur me dy vdekjet, ndërsa përgjegjësinë për sulmin e nivelit të lartë e ka marrë Ukraina.
“Eliminimi i gjeneralit Igor Kirillov, shefi i trupave të mbrojtjes rrezatuese, kimike dhe biologjike të Forcave të Armatosura Ruse është një operacion special nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës.”- konfirmoi një burim për mediat ndërkombëtare.
Vrasja me shpërthim tritol ndaj gjeneralit rus, vjen një ditë pasi prokurorët ukrainas ngritën një akuzë kundër Kirillov, duke e akuzuar atë si përgjegjës për përdorimin e armëve kimike kundër trupave ukrainase gjatë luftës.
Në një reagim të fundit, ish kryeministri rus, tashmë në detyrë si nënkryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Dimitri Medvedev paralajmëroi hakmarrje të ashpër ndaj Ukrainës./vizionplus.tv





