Vritet për kanalin vaditës në Divjakë, 32-vjeçari qëllohet për vdekje me thikë. Arrestohet autori
Një 32-vjeçar është vrarë më thikë mbrëmjen e së martës në fshatin Kryekuq të Divjakës.
Besmir Kumria më momentin që është sulmuar nga autori ka qenë i ulur në një kafene së bashku me disa miq të tij.
Në këto momente, agresori është afruar dhe e ka qëlluar me thikë duke i shkaktuar vdekjen.
Menjëherë pas krimit, autori është larguar, por pas disa orësh është arrestuar nga policia.
Në pranga ka rënë Xhesion Toromeni, 25-vjeç. Ai akuzohet për “vrasje me paramendim” dhe “mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Sipas policisë, shkak i vrasjes dyshohet të jetë një konflikt i vazhdueshëm mes familjeve të tyre për një kanal vaditës në fshat.
Policia zbardhi plotësisht dinamikën e ngjarjes: Autori Toromeni ka mbërritur në lokal me makinën e tij, është futur brenda dhe menjëherë është drejtuar në tavolinën ku ishte ulur viktima duke e goditur disa herë e duke e lënë të vdekur në vend.
Miqtë e viktimës janë shprehur në polici se autori në momentin e ngjarjes nuk ishte i maskuar, ndërkohë që ngjarja nuk është fiksuar nga kamerat e sigurisë pasi ato mungojnë në këtë zonë.
Sipas të dhënave, Besmir Kumria prej disa kohësh punonte në Himarë, por kishte ardhur ne Divjakë për të përcjellë bashkëshorten e tij drejt Gjermanisë pasi kishte filluar punë si infermiere./vizionplus.tv




