Vrau 15-vjeçarin me thikë, Prokuroria e Shkodrës mbyll hetimet dhe çon në gjyq autorin e mitur

Prokuroria e Shkodrës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtetasin e mitur K.Kolbuçi, për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”.
Nga hetimet e zhvilluara u arrit të provohet se, në datën 14.10.2024, rreth orës 19:30, në vendin e quajtur lagjja “Skënderbeg”, rruga “Ing.Gjovalin Gjadri”, të qytetit të Shkodrës, i mituri pas një konflikti për motive të dobëta me të miturin E.Gjoni, e ka qëlluar këtë të fundit me një send prerës shpues, thikë duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.
Si ndodhi ngjarja?
Një konflikt i çastit mes adoleshentëve prodhoi një ngjarje tragjike në Shkodër, ku viktimë mbeti 15-vjeçari E.Gjoni. Disa orë pas ngjarjes policia arrestoi autorin e dyshuar.
I pyetur në prani të psikologut nga policia i mituri K.Kolbuçi tregoi se takimi ishte rastësor në lagjen “Skënderbeg”. Më tej ai është shprehur se e njihte viktimën me emër, por nuk kishte pasur kontakt më herët me të.
Edhe autori i dyshuar mbeti i plagosur me thikë pas sherrit. Ai mori një goditje me thikë në supin e majtë./vizionplus.tv




