Nga Esido Barkaj
Andrea Kalemi, i arrestuar nga policia në kuadër të operacionit ‘Plani’ dyshohet se kishte nisur mobilizimin për të goditur grupet rivale me të cilat prej dy vitesh ndodhet në beteja të përgjakshme, përplasje të thelluara edhe më shumë pas masakrës në Memaliaj ku mbetet të vdekur tre persona, në mes tyre edhe Shyqyri Kalemi, babai i Andreas.
Lexo edhe :
Related Posts
Konfliktet mes familjes Kalemi nga Memaliaj dhe asaj Papa në Sarandë prej vitit 2022 kanë shënuar përplasje të ashpra ku për pasojë janë shënuar disa viktima. Konkretisht pesë të vrarë dhe disa të plagosur është bilanci i kësaj sage kriminale ku shkak kryesor mbetet prishja e pazareve të drogës.
Lufta mes dy familjeve nisi me ekzekutimin mafioz të 27-vjeçarit Aleksandër Sadikaj në qershor të vitit 2022. Ai u hodh në erë brenda mjetit të tij në afërisi të Saukut. Sadikaj ishte kushëriri i Andrea Kalemit, i njohur ndryshe edhe me emrin Adriatik. Autorët kishin vendosur një sasi prej 150 gramësh tritol të komanduar me telekomandë, në pjesën e përparme të makinës që u aktivizua gjatë lëvizjes.
Vetëm pak muaj më pas, në dhjetor 2022 u ekzekutua me breshëri biznesmeni nga Saranda Edmond Papa. Ai ishte mbajtur nën vëzhgim nga autorët, të cilët qëlluan ndaj tij sapo ky i fundit ishte ulur në një bar në zonën e Selitës. Për këtë krim është arrestuar shoku i Andrea Kalemit, Albano Velo, ndërsa në kërkim u shpall autori tjetër Andreë Bode, i arrestuar në operacionin e fundit. Krimi dyshohet se u porosit nga Andrea Kalemi si hakmarrje për vrasjen e Aleksandër Sadikajt. Pikërisht Edmond Papa dyshohet se fshihej pas tritolit të vendosur në mjetin e të riut.
Pak muaj më pas, në gusht 2023 objektiv i atentatit ishte Andrea Kalemi, i cili u plagos në ishullin Paksos në Greqi ku kishte shkuar me familjen për pushime. Autorët të cilët dështuan në eliminimin e tij dyshohet se ishin vrasës me pagesë.
Kalemi i shpëtoi një tjetër atentati, kësaj here brenda burgut të Koridhalosit në Greqi. Ai mbeti i plagosur me thikë nga një shtetas egjiptian, ku edhe ky i fundit dyshohet se ishte paguar nga jashtë për të eliminuar Andra Kalemin.
Krimi nuk kurseu as djalin tjetër të familjes Kalemi. Në janar të këtij viti në afërsi të rrethrrotullimit të Selitës pre e një atentati ishte Zamir Kalemi, vëllai i Andreas. Ky i fundit mbeti i plagosur duke i shpëtuar mrekullisht breshërive të plumbave. Autorët ndoqën mjetin e Kalemit tip ‘Smart’ duke e qëlluar në ecje./vizionplus.tv








