Dëshmon në Gjykatën e Posaçme babai i Leonard dhe Erlis Dukës për vrasjen e ish- policit Santiago Malko në vitin 2019.
Muhamet Duka, djemtë e të cilit dyshohen se janë organizatorët e atentatit tha se Malkon nuk e njihte.
“Emrin e Santiago Malkos e kam dëgjuar vetëm në media, nuk i njoh. Nuk më ka ndalur askush asnjëherë në asnjë mënyrë. S’kam pasur konflikt personal me të. Nuk kam pasur konflikt personal me Santiago Malkon. Leonard dhe Erlis Duka nuk kanë pasur konflikt me Santiago Malkon. Ervis Martinajn nuk e njoh. Me këtë shtetas djemtë e mi në dijeninë time s’kanë pasur asnjë konflikt”, tha Muhamet Duka.
Muhamet Duka tha se ai kishte biznesin e tij, e nuk përzihej me punët e djemve.
“Unë merresha me tregti, tani jo se jam në pension. Kam pasur lokal timin. Lokali im nuk ka pasur emër. Me menaxhimin merresha unë dhe nusja. Djemtë merreshin me punët e veta, me biznesin e vet. Merreshin me lojërat e fatit. Nuk e di me kë bashkëpunonin. Nuk përzihesha, ata ishin të rritur. Unë jetoj me bashkëshorten. Leonardi ka jetuar me vëllanë, të ndarë nga ne. Jetonin me qira. Unë rrija në ‘Fresk’, djemtë nuk e di ku rrinin. As nuk i kam pyetur ndonjëherë, nuk shkoja te banesa e tyre. Ata vinin te shtëpia ime. Ata i kam ndihmuar unë dikur, kur u rritën kishin jetën e vet”, deklaroi Duka.
Nga dekriptimi i SKY ECC, thuhet se Santiago Malkos u vra pas prishjes së marrëdhënieve mes dy vëllezërve Duka dhe Ervis Martinajt, për lojërat e fatit. Në atë kohë, Santiago Malko, në shërbim të Ervis Martinajt, ka dhunuar babain e Leonard dhe Erlis Dukës, pikërisht Muhamet Dukën që sot dëshmoi në gjykatë.
Të pandehur janë marrë edhe Oltion Loga, Aleksandër Maxhaku, Fatmir Hyseni dhe Dritan Agaj. Pritet që seancën e ardhshme prokuroria të lexojë konkluzionet përfundimtare dhe të shpallë pretencën./vizionplus.tv





