Prokuroria e Posaçme, e përfaqësuar nga prokurori Behar Dibra, u tërhoq nga pyetja për të pandehurin Ardjan Çapja, akuzuar si porositës për vrasjen e babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqiri, ndodhur më 15 gusht të 2012.

 

Nga ana tjetër, sot u mor në pyetje nga akuza një tjetër i pandehur, Etjen Cani. Ai mohoi kategorikisht çdo përfshirje të mundshme me vrasjen dhe me porosinë, që sipas organit të akuzës ka ardhur nga Ardjan Çapja.

 

Cani theksoi para gjykatës se të pandehurin tjetër, Klajdi Dokolin, nuk e njeh fare, sikundër edhe vetë Ardjan Çapjan dhe nipin e tij, Florenc Çapjan.

 

Ndonëse seancën e kaluar, prokurori i çështjes kërkoi të pyesë te pandehurit, si Ardjan Çapjan dhe Etjen Canin, sot vendosi të tërhiqet nga kjo kërkesë.

 

Të akuzuar për këtë krim jane Ardjan Çapja, Florenc Çapja (i ndodhur tashmë në Dubai, në gjendje të lirë dhe pafajsie), Etjen Cani, Klajdi Dokoli dhe Olsi Leku. Ky i fundit është arrestuar në Greqi e dyshohet se po bashkëpunon me autoritet greke për zbardhjen e ngjarjes.
Ervis Bardhi ndërkaq po bashkëpunon me drejtësinë shqiptare dhe ka pranuar kryerjen e vrasjes ndaj Gentian Beqirit. Sipas dëshmisë së tij, i ati i Gentianit, Nezir Beqiri, u ekzekutua me mjete të forta dhe u mbyt me jastëk nga Olsi Leku, pasi tentoi t’i rezistojë sulmit.

 

Vrasja e babë e bir, në mes të gushtit të 2012, tronditi opinionin publik për shkak se viktima Gentiani, ishte në masën e sigurisë, arrest shtëpie dhe ruhej nga dy punonjës policie. Mes të pandehurve bën pjesë edhe një nga punonjësit e policisë, përgjegjës për ruajtjen e viktimës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *