Gjykata e Korçës, ditën e djeshme ka shpallur fajtorë katër persona për vrasjen e Martin Çeços, ngjarje e ndodhur më 12 qershor 2022 në fshatin Kolanec të Maliqit.
Prokuroria, ka bazuar kërkesën për burg në dëshmitë e dhëna nga të akuzuarit, duke kërkuar dënimin e tyre për veprën penale “Vrasje me paramendim”.
Gjykata ka dënuar me 25 vite burg Valter Mollaj, 23 vite burg Edlir Mollajn, 20 vite burg Martina Pajollarin dhe 15 vite Blendi Angjon.
Pavarësisht këtij vendimi, mbrojtja ka paralajmëruar apelim.
Çeço u gjet i mbytur dhe i hedhur në një rezervuar dy ditë pasi kishte humbur kontaktet me familjen.
Policia dhe prokuroria arrestuan disa persona si të dyshuar, përfshirë kushërinjtë Valter dhe Edlir Mollaj, si dhe bariun e tyre Bledi Angjo.
Sipas hetimeve, shkaku i krimit ka qenë një lidhje e viktimës me Martina Pajollarin, e cila dyshohet se kishte nxjerrë në pritë Martin Çeçon.
Pavarësisht akuzave, mbrojtja e të akuzuarve argumentoi se nuk ka prova të mjaftueshme që të lidhin ata me ngjarjen dhe paralajmëroi apelimin e vendimit.
Sipas mbrojtësve, asnjë provë konkrete nuk është paraqitur për të treguar se Valter dhe Edlir Mollaj kanë kryer vrasjen, ku dyshohej se viktima dhe autorët e dyshuar mund të kishin pasur kontakte./vizionplus.tv





