Dorëzohet vrasësi i italianit, Kamber Sulçaj qëlloi për vdekje biznesmenin Edoardo Sarchi
Pas disa ditësh në arrati, është vetëdorëzuar në policinë e Gjirokastrës Kamber Sulçaj, autori i dyshuar i vrasjes së biznesmenit italian Edoardo Sarchi.
Ai është vëtëdorëzuar pas negociatave përmes avokatit të tij dhe policisë.
Ngjarja e rëndë ku mbeti fillimisht i plagosur rëndë biznesmeni italian, por më pas ndërroi jetë ndodhi më 27 shtator në Salari të Tepelenës pasi ky i fundit kishte shkuar te banesa e mikut të tij Eqerem Braçit dhe djemve të këtij të fundit për gjah.
Autori tashmë i arrestuar Kamber Sulçaj po udhëtonte me makinën e tij drejt stanit që kishte në pronësi, jo shumë larg vendit ku ndodhi ngjarja.
Në rrugë, ai është ndeshur me automjetin ku ndodhej Gazmend Braçi së bashku me disa miq.
Për shkak të dritave të gjata të ndezura, mes tyre ka shpërthyer një debat i ashpër verbal, i shoqëruar me fyerje dhe sharje.
Pas përplasjes verbale, Gazmend Braçi është nisur drejt banesës së tij në Salari, por Sulçaj dyshohet se e ka ndjekur nga pas.
Makina e Braçit është prishur dhe ai ka telefonuar të atin, Eqerem Braçi, që të shkonte ta ndihmonte.
Ky i fundit është nisur me dy makina drejt vendit, ku në një prej mjeteve ndodhej edhe biznesmeni Sarchi.
Sapo kanë mbërritur, në drejtim të tyre është qëlluar me armë zjarri.
Një prej plumbave ka goditur italianin, i cili pak më vonë ka humbur jetën për shkak të gjakderdhjes së madhe.
Sulçaj ka vijuar të qëllojë për disa minuta, duke mos lejuar që personat të largoheshin, ndërsa më pas ka fshehur makinën në një zonë të pyllëzuar.
Policia mori në pyetje edhe dy dëshmitarë, të cilët në atë moment po kalonin me motor.
Ata pohuan se kishin dëgjuar konfliktin dhe të shtënat me armë, por nuk arritën të dallonin personat për shkak të errësirës. Ata kanë mundur të identifikonin makinën e autorit, një mjet i bardhë me karroceri, si dhe targën.
Sipas ekspertëve, autori kishte përdorur një armë gjahu me viaska dhe me dylbi nate, të ngjashme me ato që përdoren për gjueti, armë të cilën e ka dorëzuar këtë të enjte në polici./vizionplus.tv




