Tre fëmijët e familjes Meta, të cilët akuzohet se vranë dhe varrosën në kasollen pranë shtëpisë, babanë e tyre Pëllumb Meta do të dalin sot përpara gjykatës për masë sigurie .
Krimi që tronditi opinionin publik u zbulua tre ditë më parë, kur policia gjeti trupin e 49-vjeçarit. Ai ishte shpallur i zhdukur prej 13 shkurtit, pas denoncimit të djalit të madh se kishte humbur kontaktet me babanë.
Lexo edhe :
Related Posts
Por ajo që u denoncua si zhdukje ishte në fakt një vrasje. Policia zbuloi se Pëllumb Meta ishte vrarë më 10 shkurt nga djali i madh, Hysen Meta dhe për të fshehur trupin e të atit ishte ndihmuar nga djali i vogël, Amarildo 21-vjeç dhe vajza Hygerta, 19-vjeçe. Ndërkohë, nëna e tyre Blerina Meta po hetohet në gjendje të lirë për moskallëzim krimi.
Fillimisht vrasjen e mori përsipër 19-vjeçarja, Hygerta Meta, studente në Tiranë, e cila tha se e ka vrarë babanë, pasi donte ta martonte kundër vullnetit të saj. Por ky version ra shpejt, kur në pyetje u morën edhe anëtarë të familjes ku mendohej se do të fejohej vajza 19-vjeçare.
Sipas dosjes hetimore, ata kanë pohuar se pavarësisht dëshirës së tyre për të lidhur krushqi me familjen Meta, i ati vajzës Pëllumb Meta ua kishte bërë të qartë se krushqia nuk mund të bëhej, pasi vajza do të vazhdonte shkollën dhe nuk kishte plane për ta fejuar.
Pasi policia mori të gjitha dëshmitë, hetimet zbuluan se në fakt ekzekutimin me 4 plumba pistolete të 49- vjeçarit, e kishte kryer 25-vjeçari Hysen Meta. Në dëshminë para uniformave blu ai pranoi krimin duke thënë se babai i tyre, ishte autoritar dhe i dhunshëm. /vizionplus.tv








