Qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit kanë nisur votimin në përfaqësitë diplomatike për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Procesi ka nisur që prej orës 7 të mëngjesit në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në shtetet e Evropës ku qytetarët janë vendosur në radhë për të shprehur vullnetin e tyre.
“Në orën 13:00 sipas kohës lokale të Kosovës planifikohen të hapet edhe procesi i votimit në ambasadën e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Uashington deri në konsullatën e Nju Jorkut, gjithashtu edhe në ambasadën e Kosovës në Kanada, respektivisht në Otavë, si dhe në konsullatën e Torontës”, tha Valmir Elezi, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Votimi i diasporës zhvillohet në 43 qendra votimi në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës, në 19 shtete të ndryshme të botës.
Sipas Komisionit Qendror të zgjedhjeve në Prishtinë, janë rreth 105 mijë votues nga diaspora që janë regjistruar në total.
84.525 prej kanë zgjedhur të votojnë përmes postës, ndërsa pjesa tjetër paraqiten fizikisht në përfaqësitë diplomatike, gjë që ndodh për herë të parë në zgjedhjet në Kosovë.
“Numri i përgjithshëm i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar në këto 30 përfaqësi diplomatike të Republikës së Kosovës është 20 mijë e 324. Sqarojmë se vetëm votuesit e regjistruar në përfaqësi diplomatike do të mund të votojnë gjatë ditës së sotme, pasi në listën e votuesve e cila është dërguar në përfaqësitë diplomatike janë vetëm emrat e shtetasve që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi. Ndërsa brenda Kosovës, të drejtë vote për zgjedhjet parlamentare të së dielës kanë, mbi 2 milionë qytetarë të cilët do duhet të zgjedhin përbërjen e re të palamntit mes 28 subjekteve politike dhe një kandidati të pavarur”, tha ai. /vizionplus.tv