Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Pëllumbi tha se forca e tij politike synon, 19-21 mandate në garën për Tiranën.
Në një lidhje me Edicionin Qendror të Lajmeve të orës 19:00 në Televizionin Kombëtar Vizion Plus të moderuar nga Aleksandër Furxhi, Pëllumbi renditi arsyet pse në 11 maj duhet të votohet PS-ja.
Ai u shpreh se themeli i çdo fushate është takimi me njerëzit, për të komunikuar elementet e rëndësishme, gjë të cilën Partia Socialiste po e përdor në fushatë.
Intervista e plotë:
Ka komente se gara në Tiranë është e vështirë edhe për kandidatët brenda grupit. Ju si e shihni, si e mendoni?
Pëllumbi: Ne në Kuvendin e Shqipërisë kemi bërë një ndryshim në Kodin Zgjedhor të 2021. Pra, kemi një mënyrë të re votimi, që do të votohet në zgjedhjet e 11 majit, ku 11 deputetë janë në listë të mbyllur dhe pjesa tjetër në garë të hapur. Sigurisht, nuk është një garë e lehtë, por ajo që është e rëndësishme për secilin që jemi vendosur në listë është fitorja e partisë sonë. Në këtë rast, të gjithë kandidatët e Partisë Socialiste që do të garojnë në listë të hapur, por edhe ata në listë të mbyllur, kanë për detyrë të garantojnë fitoren e forcës sonë politike, në këtë rast për PS. Kjo është ajo që është primare për të gjithë ne. Sa i përket çështjes individuale, edhe kjo është e rëndësishme, pasi secili prej nesh ka nga një emër që garon për të bindur që të marrë vota.
Kryetari i partisë suaj është i pranishëm në media, në rrjetet sociale. Ju çfarë forme po parapëlqeni në fushatën që po bëni?
Pëllumbi: Po i përdorim të gjitha format, në mënyrë të padiskutuar. Por themeli i çdo fushate është takimi me njerëzit, për të komunikuar elementet e rëndësishme mbi të cilat mbështetet fushata e Partisë Socialiste. E para është nevoja e vazhdimit të reformave të integrimit evropian të Shqipërisë dhe e dyta arritjet që ne kemi realizuar në këto 12 vite. PS ka arritur të bëjë një transformim rrënjësor të Shqipërisë, një transformim rrënjësor të ekonomisë, një transformim rrënjësor të të gjithë elementëve që ndesh qytetari shqiptar, duke filluar nga siguria, ekonomia. Këto janë gjërat që ne po diskutojmë dhe po shpjegojmë pse është e rëndësishme një mandat i katërt i qeverisë sonë. Besojmë që e vetmja forcë politike që mundet realisht të mbyllë negociatat në 2027 është Partia Socialiste.
Nëse e fitoni mandatin e katërt, çfarë do donit të korrigjoni nga ato që keni bërë në 3 mandate?
Pëllumbi: Sigurisht që ajo që besojmë se është shumë e rëndësishme në mandatin tonë të katërt është vazhdimësia e rritjes ekonomike, lufta e padiskutuar që duhet të bëjmë për korrupsionin, mbështetja që po vazhdojmë t’i japim reformës në drejtësi. Mbështetja e forcës politike, PS në këtë rast, është e pandashme në këtë proces.
Si do ndaheshin mandatet në Tiranë, sipas jush?
Pëllumbi: Ne si Parti Socialiste synojmë që të marrim 19 mandate, dhe jemi të kënaqur me 20 mandate. Ne punojmë për të rritur objektivat tona dhe besojmë se do jemi në 19, 20 dhe në rastin më të mirë në 21 mandate.
/vizionplus.tv




