Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i ka mbijetuar me lehtësi një mocioni mosbesimi të iniciuar nga partitë e ekstremit të djathtë në Parlamentin Evropian. Mocioni, i cili kishte për qëllim shkarkimin e saj nga posti më i lartë ekzekutiv i Bashkimit Evropian, u rrëzua me shumicë të konsiderueshme votash.
Me 360 vota kundër, 175 pro dhe 18 abstenime, deputetët e Parlamentit Evropian e hodhën poshtë përpjekjen për të rrëzuar Ursula von der Leyen. Mocioni ishte paraqitur nga eurodeputeti rumun Gheorghe Piperea dhe u mbështet nga disa grupime të ekstremit të djathtë, të cilët e akuzojnë presidenten për mungesë transparence, keqpërdorim të fondeve dhe ndikim në zgjedhjet kombëtare.
Në qendër të kritikave ishte çështja e njohur si “Pfizergate”, lidhur me komunikimet e fshehta të presidentes me shefin ekzekutiv të kompanisë Pfizer gjatë pandemisë së COVID-19. Por Von Der Leyen, e cila nuk ishte e pranishme në seancë, ka mohuar çdo akuzw.
Përkrahësit e saj në Parlament, përfshirë Partinë Popullore Evropiane, Socialistët dhe Demokratët, si dhe të Gjelbrit, e cilësuan mocionin si një tentativë politike për të dëmtuar stabilitetin e Bashkimit Evropian.
Kjo është hera e parë në më shumë se një dekadë që një president i Komisionit Evropian përballet me një mocion të tillë. Megjithatë, votimi i sotëm tregoi se Ursula von der Leyen ende gëzon mbështetjen e shumicës së eurodeputetëve.
/vizionplus.tv





