Ish-deputetja e PD, Albana Vokshi ngriti alarmin se vendi rrezikohet nga kryeministri Edi Rama. Në një deklaratë për mediat, ajo denoncoi se Rama po tenton të emërojë në krye të Autoritetit të Mediave Audiovizive vartësit e tij.

 

“Edi Rama po kërkon të vërë nën kontroll të plotë edhe institucionin tjetër kyç në zbatimin e ligjeve të censurës, Autoritetin e Mediave Audiovizive. Përmes një procedure korruptive, Edi Rama po emëron në krye të AMA-s rrogëtarët e zyrës së tij. Ligji përcakton si kriter të parë depolitizimin, jopartishmërinë e kandidatëve. Por të katërt aplikantët janë vartës të Edi Ramës dhe Erion Veliajt, të paguar prej tyre si fjalim shkrues në Partinë Socialiste apo si këshilltarë në disa ministri. Të katërt kanë marrë pjesë në shtabet elektorale të Partisë Socialiste prej shumë vitesh. Maklen Misha, mercenar i Edi Ramës dhe Erion Veliajt, synon të zërë vendin e lënë bosh nga i ati dhe të marrë drejtimin e AMA-s.”

 

Për Vokshin, Rama po e bën gjithë këtë që të kapë mediat dhe të mos lejojë publikimin e lajmeve negative për të. Vokshi theksoi se me këtë akt Rama po rrezikon mediat dhe qytetarët.

 

“Edi Rama e ka jetike që mediat të mos publikojnë lidhjet e qeverisë së tij me krimin. E ka jetike që media të mos bëjë transparencë të koncesioneve dhe tenderave korruptive. Edi Ramës i duhet që gazetarët të mbyllin gojën, të mbyllin sytë dhe veshët për të mos treguar se ai është një kryeministër i korruptuar, i kriminalizuar dhe i dështuar. Përsa kohë Edi Rama do të vazhdojë të jetë në drejtimin e vendit, media është në rrezik, të drejtat e qytetarëve janë në rrezik, vendi është në rrezik!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *