Ndërsa shifrat e pandemisë këtë javë shënuan një ulje të lehtë, opozita ka akuzuar qeverinë për një menaxhim jo të mirë të situatës. Madje dy ditët e fundit nga selia blu janë artikuluar akuza të forta për problemet e mësimit të kombinuar.

 

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, në një lidhje direkte me edicionin e lajmeve në “Vizion Plus” kritikon qeverinë se ka krijuar kaos në arsim, përmes mësimit të kombinuar. Ajo denoncoi se janë harxhuar 18 milionë euro në shtatë vite për projektet e dixhitalizimit dhe sot asnjë nga infrastrukturat nuk funksionojnë.

 

 “Unë mendoj që shëndetësia dhe arsimi janë dy sektorët që janë pasqyrë e dështimit të çdo politike që mund të ketë marrë qeveria Rama. Asnjë program dhe plan konkret, duke bërë të pamundur mësimin e fëmijëve. Përhapja e infeksionit është shumë e madhe në mesin e mësuesve dhe nxënësve.  Unë nuk di që testimet e shpejta të kenë shkuar nëpër shkolla. PD ka kërkuar që të bëhet testimi masiv me tamponë, apo testimi i shpejtë.  Të njëjtën ditë që Edi Rama tha që shkollat nuk janë vatrat, ai nxori urdhin për të kaluar versionin e mësimit të alternuar. Një kaos total, as mësuesit, as nxënësit nuk arrijnë ta ndjekin.  Dua të denoncoj se janë harxhuar 18 milionë euro në 7 vite për projektet e dixhitalizimit dhe sot nuk kemi infrastrukture, dixhitalizim të mësimeve online; akademia.al nuk funksionon. Ku kanë shkuar 18 milionë eurot që janë shpenzuar për këto projekte? Qeveria duhet të japë më shmë fonde. Pse qeveria të mos pajisë sot familjet në nevojë me tableta?”

 

Sipas saj, Shqipëria rrezikon të rrisë një brez që do të ndikojë negativisht nesër në ekonominë e vendit.

 

“Në mbyllje të vitit mësimor 2019-2020, asnjë prindër dhe mësues nuk është i kënaqur se si përfundoi. Problemi nuk ekziston vetëm tek familjet e varfëra por edhe tek ato me të ardhura të mesme. Unë kam vetëm një laptop në familjen time, të cilin unë duhet ta ndaj së bashku me vajzat e mia.  Vetë mësuesit dhe nxënësit kanë denoncuar faktin që mësimi dy ditë në shtëpi dhe tre ditë në shkolla, është jo efikase. Fëmijët dhe prindërit nuk kanë pajisje dhe as internet. Në fshat mësojnë rreth 200 mijë fëmijë që e kanë pothuajse të pamundur që t’i sigurojë fëmijëve mësimin online.  Nga internet në të gjitha shkollat që siguroi qeveria e Sali Berishës, sot pothuajse të gjitha shkollat, përfshirë edhe ato të kryeqytetit nuk kanë internet; 60 për qind e fëmijëve me analfabetizëm funksional. Ne rrezikojmë të rrisim një brez COVID, fëmijë që nesër do të ndikojnë negativisht qoftë në ekonominë shqiptare, qoftë në shoqërinë shqiptare.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *