Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi foli më gjatë për zyrtarizimin e aleancës mes partive opozitare këtë të hënë.
Gjatë një interviste për edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus”, Vokshi deklaroi se kryedemokrati Lulzim Basha ka rreth vetes të gjitha partitë e tjera, përveç PS.
Sipas saj, ky bashkim është bërë për t’u sjellë qytetarëve ndryshimin që presin.
“Mendoj që është bashkimi më i madh i partive politike në një koalicion. Edi Rama ka mbetur fillikat vetëm, rreth liderit të opozitës dhe kryeministrit të qeverisë së ardhshme, janë të gjitha partitë e tjera. Rreth Lulzim Bashës po mblidhen çdo ditë e më shumë të gjithë qytetarët. Ka nevojë për ndryshim dhe ne po punojmë fort për të arritur që data 25 prill të jetë dita e shumëpritur për të gjithë qytetarët shqiptarë, dita e ndryshimit. Njerëzit kanë nevojë për ndryshim, ne e dëgjojmë këtë fjalë në çdo takim. Koalicioni i sotëm ka në fokus punën e përbashkët të të gjitha partive që në 25 prill të ndodhë ndryshimi. Në 25 prill Rama humb, Shqipëria fiton”, u shpreh Albana Vokshi përballë gazetarit Roland Zili.





