Lidhja Demokratike e Gruas Shqiptare ka zhvilluar këtë të premte një takim me gratë dhe vajzat demokrate të zonës së Kukësit dhe Lezhës.

 

Kryetarja e LDGSH-së, Albana Vokshi, gjatë takimit hodhi akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama se, sipas saj, në krey të qeverisë ka vënë përdhunues dhe trafikantë.

 

“Dhe këtë model e përçon kudo. Në Kavajë, kë vuri? Elvis Rroshin. Ju e dini se kë ka kryetarë në disa bashki të vendit, trafikantë ose përdhunues. Sepse ju e dini se kë ka futur brenda në Parlament. Prandaj kemi rastin të reagojmë”, tha Vokshi nga Kukësi.

 

Sipas Vokshit, kjo është një strategji e vetë kryeministrit Edi Rama me qëllim për të lënë të prapambetur shqiptarët.

 

“Këtë Edi Rama e ka bërë sepse do që t’i lërë në varfëri të tejskajshme që kur të vijnë zgjedhjet ajo familja që nuk i jep dot fëmijëve për të ngrënë ta detyrojë që të shesë votën për pak lek. Do të çojë bandat kriminale. Me paratë e krimit dhe të drogës ai do të mundohet që t’i blejë qytetarët dhe të ruajë karriken e pushtetit”.

 

Ndërsa në takimin e mbajtur me gratë demokrate të Lezhës, ishte prezente dhe deputetja Lindita Metaliaj.

 

Metaliaj u bëri thirrje të gjitha grave demokrate që më 16 shkurt ato t’I bashkohen protestës së opozitës dhe t’i japin fund qeverisjes së Edi Ramës.

 

“Ti’ japim fund këtij regjimi diktatorial. Të marrim në dorë fatin tonë dhe të fëmijëve tanë. Të mos lejojmë që një dikator, një sundimtar të vendosë për të ardhmen tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Ne kemi lindur këtu, duam të jetojmë këtu. Duam të rrisim fëmijët këtu me nder dhe dinjitet”, tha Metaliaj.

 

Data 15 shkurt u theksua nga Vokshi si dita e fundit ku demokratët presin që Edi Rama të largohet, ose përkundrazi, tha ajo, jemi ne që duhet të marrim fatet tona e të fëmijëve tanë në dorë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *