Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nderoi me medalje mirënjohjeje dy kampionët e rinj në boks, pjesë të Sport Klub Tiranës, Esmeralda Novruzaj, fituese e medaljes së bronzit në Kampionatin Evropian të Boksit U23, dhe Alban Beqirin, kampion boksi në Ballkan.
Veliaj falënderoi sportistët për kontributin e jashtëzakonshëm në ngritjen e emrit të Tiranës dhe të Shqipërisë në skenën ndërkombëtare.
“Jemi shumë krenarë për arritjet tuaja! Esmeralda, ti ke treguar kurajo dhe forcë, ndërsa Albani ka fituar medalje në një kampionat shumë të vështirë, me kundërshtarë të fortë. Kemi filluar të shohim rezultate të mëdha dhe ky është vetëm fillimi. Medalja e mirënjohjes së qytetit është një mënyrë për t’ju thënë se nuk ju harrojmë dhe se e dimë që po punoni shumë fort. Sa herë që ngrihet ai flamur, flamuri më i bukur në botë, dhe sa herë që përmendet klubi ynë, sjell një krenari të jashtëzakonshme për vendin tonë, për kombin dhe për qytetin tonë,” tha Veliaj.
Duke e cilësuar Sport Klub Tiranën si një qendër të re të zhvillimit të talenteve, Veliaj u shpreh krenar për sportistët dhe trajnerët që kanë dhënë një shtysë të madhe për zhvillimin e sportit. Ai theksoi rëndësinë e krijimit të mundësive më të mira për trajnime dhe gara ndërkombëtare për sportistët shqiptarë.





