Gjykata Kushtetuese ka shtyrë për të dytën herë shqyrtimin e ankimimit të Partisë Demokratike, kundër vendimit të qeverise për konfiskimin e kateve që janë ndërtuar pa leje. Seanca është shoqëruar me debate, pasi kushtetuesja kërkoi që autorizimi për avokatin, të mbështetet me firmat e 28 deputetëve kërkues të PD. Në emër të opozitës, Gazment Bardhi solli në vëmendje se në praktiken e gjykatës prej krijimit të saj, autorizimi për përfaqësuesin ligjor firmoset nga kreu i grupit parlamentar, duke akuzuar gjyqtarët se synojnë të zvarrisin çështjen.

 

GAZMENT BARDHI

DEPUTET, PD SINKRON

 

“Nëse Gjykatën Kushtetuese pas reformës në drejtësi e ka kapur për fyti oligarkia do duhet të na e bëjnë me dije për të mos ardhur në Gjykatë më. Që kanë rënë pre e një shantazhi me një twitter nga Edi Rama, pasojat po i shikojmë. E papranueshme, antikushtetuese, irrituese për çdo qytetar të Shqipërisë. Ne kemi pritur që GJK t’u qëndrojë dhe t’i rrisë standardet. Nëse gjykata të njëjtin standard njëherë e zbaton dhe një herë jo atëherë nuk është me Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë është Gjykata Kushtetuese e oligarkisë. “

 

Pas qëndrimit të opozitës ka reaguar edhe Gjykata Kushtetuese, e cila ka hedhur poshtë akuzat e opozitës. Në një njoftim për mediat, kushtetuesja theksoi se drejtuesi i një grupi parlamentar nuk ka tagrin për të përcaktuar përfaqësimin e subjektit kushtetues në Gjykatën Kushtetuese, pasi atë e kanë deputetët firmëtarë.

 

“Gjykata Kushtetuese, duke respektuar lirinë e shprehjes dhe të medias, rithekson rëndësinë e respektimit të pakushtëzuar të vendimeve të saj dhe kërkon nga palët vetëpërmbajtje në lidhje me komentet për çështjet në proces” theksohet në njoftimin e publikuar për mediat.

 

Opozita iu drejtua Gjykatës Kushtetuese vitin e kaluar, duke kërkuar shfuqizimin e vendimit të qeverisë, i cili parashikon konfiskimin e ndërtimeve pa leje, duke i lënë mundësinë ndërtuesit ta blejnë me çmimin e tregut. Sipas PD, qeveria me një vendim ka shfuqizuar kodin penal për një kategori të veçantë, duke hequr për ta dënimin me burg.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *