Spektakli i fishekzjarreve solli magjinë e festës në Tiranë, ku mijëra qytetarë mbushën sheshin “Skënderbej” për të pritur ndërrimin e viteve.
Ora 00:00 i gjeti së bashku familjet e fëmijët e tyre mes përqafimeve e lutjeve për një vit më të begatë e më të mbarë. Shpiri i festës, fëmijët, ishin ata që i dhanë gjallëri momentit kur nisi ky vit i ri.
Urimet e të gjithëve ishin për një vit pa pandemi.
Shumë të huaj kishin zgjedhur të kremtonin festën e ndërrimit të viteve në Tiranë, që merr nga sot stafetën e Kryeqytetit Europian të Rinisë.
Ndërsa spektakli i fishekzjarrëve dhe atmosfera nuk shkaktoi asnjë incident mbrëmjen e ndërrimit të viteve. Këtë e pohoi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano.
Autoritetet vetëm mbrëmjen e djeshme hoqën orën policore, ku qytetarët ishin të lirë të lëviznin deri në mëngjes, ndërsa sërish sot ora policore është 23.00.